Amarildo Pregapuca: Do të telefonoj… e kam vendosur

amarildo pregapuca

Poezi nga Amarildo Pregapuca

Do ta gjej numrin e telefonit tënd,
Nesër…
Dhe nga dreka, apo ndoshta, darka
Do të telefonoj.
E kam vendosur, që dje…

Duhet,
Është e nevojshme, mendoj…

Njeriu në heshtje,
Krijon figura të çuditshme,
Ekzagjeron çaste, momente…
Më kupton?
Po thoja që i zbukuron ato,
Aq sa nganjëherë i marrin frymën!

Ndaj nesër,
Nga dreka apo darka,
Do të telefonoj, me patjetër…

E kam të ndërtuar edhe bisedën,
Të thjeshtë, natyrisht.
Pra, të zakonshmet:
“Si je, si ke kaluar, të gjithë mirë ? Ndonjë të re?”
Biles dhe përgjigjet, të thjeshta edhe ato:
“Mirë, mirë të gjithë faleminderit…ti ?”
Në atë zërin shoqëror, të akulltë,
Që flasin dy njerëz, qe janë njohur dikur aq mirë!

Kështu dramat bien
Dhe s’ka më vend për poezi patetike.

Pra…
Do ta gjej
numrin e telefonit tënd.
Neser…
Po, po nesër.
Nesër, se di se kur, nesër…
Se ndoshta,
Ndoshta nuk je mirë.
Dhe kjo do të çonte në dreq qëllimin,
Për te cilin vendosa dje, nuk e di se kur…
Dje…

Për nesër,
Një nesër, dikur…

ObserverKult