Marsel Lela: Mbushma gotën, trëndafili im!

Marsel Lela

Mbushma gotën
Trëndafili im.
Mbushma, veç jo me trishtim,
Se poshtë syve
Kam një rrëke lotësh
Që do të frynin oqeanet.
Mbushma gotën
Hëna ime.
Mbushma me dritë argjendore
Se shpirti mu ngroh,
E befas ndihem një ujk i etur për plagë.

Mbushma
Edhe me plagë në daç.
Shkule atë heshtë
Prej brinjës së Krishtit
Dhe ngulma në kraharor,
Të shohësh gjakun
E shqetësuar.

Mbushma gotën
E vogla ime
Dhe si Gabriel Selaja
Mos pyet:
Jemi të lumtur a s’jemi?
Lumturia nuk gjendet
Tek vështrimet ëmbëlcakë
Të syve melankolikë,
Ku fshihet një det i vdekur
Lotësh të pashpresë,
E as në fjalët e sheqerosura
Të dashuriçkave diabetike.

Lumturia gjendet në dehje,
Në më të mugtën përhumbje,
Në më të mjegulltin cep të shpirtit,
Aty ku nuk ka as kufij, as liman e as brigje.
Ku dy palë buzë
Lypin verbtazi njëra-tjetrën,
Dhe duart e uritura,
Me gojët e tmerrshme të Kont Ugolinit
Shtrëngojnë e çjerrin
Pamëshirshmërisht
Kurmet e zhveshura të dëshirimit.

Lumturia është njëkohësisht
Heshtë dhe plagë,
Uri dhe kafshim.
Lumturia ka shijen e kripës.
Të kripës së thellë
Gjer në kufirin
E së njelmtës.

Mbushma gotën
Amfora ime,
E mos ma kurse dehjen.

ObserverKult

Lexo edhe:


MARSEL LELA: NANLOKJA