Kam vetëm një dëshirë,
buzë mbrëmjes së qetë,
të shuhem dalngadalë
pranë të madhit det.
Të bëj gjumë të qetë,
dhe pylli t’më jetë pranë,
mbi ujrat plot jetë,
të kem një qiell pa anë.
S’më duhet të më mburrin,
as varr të shtrenjtë s’dua,
një shtrat gjethesh të thurrin,
si më pëlqen veç mua.
Asnjë pas vdekjes sime,
mbi krye mos më qajë,
veç vjeshta ligjërime
të derdhë mbi gjethnajë.
Dhe kur të rrjedhë burimi
të flasë e mos pushojë,
dhe hënëza e re
mbi bredh të nusërojë,
Era e ftohtë ndajnate
t’më sjellë zilkat e kopesë.
Bliri i shenjtë lule artë
mos më lërë në harresë.
Dhe kur s’do jem më unë
at’here e më pas
gjithmonë le t’më kujtojnë
me buzën vënë në gas.
Yjet që do shfaqen,
mes bredhash nëpër natë
prapë miq le të mbeten
t’më buzëqeshin prapë.
Të rënkojë pa pushim
e detit erë plot zhurmë
të bëhen pjesë e dheut tim
s’do desha, jo, më shumë.
Shqipëruar nga Tamara Gjikondi