Histori e parë nga larg, dhe jo vetëm nga larg, por edhe ftohtë, pa pragmatizmat e paragjykimet e zakonshme lokale, pa ideologjizimet tona politike ekstreme.
Libri quhet “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX” dhe sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.
Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqësh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë.
Autorja është albanologia Nina Smirnova, që edhe pse ia kushtoi jetën e saj studimeve mbi Shqipërinë, publiku ynë e njeh pak.
Nina ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte po kaq mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.
Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, peronazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.
“Shqiptarët janë të pafat, por, edhe kur u vjen, e kanë fat të ngatërruar” – është një nga përfundimet e saj cituar nga botimi i mësipërm.
Kush është Nina D. Smirnova
Nina Dimitrjevna Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe lindi në Leningrad. Kreu studimet e larta në Universitetin “Lomonosov” të Moskës.
Është marrë kryesisht me studimin e historisë së popullit shqiptar gjatë shek. XX. Mësoi gjuhën shqipe në Moskë dhe shërbeu si përkthyese në Tiranë (1955-1956).
Është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshimi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.
Nina D. Smirnova është autore e gjashtë monografive historike kushtuar marrëdhënieve ndërkombëtare, rajonit të ballkanik në periudhat më të ndezura e të trazuara të këtij shekulli. Ajo është marrë me historinë e Shqipërisë gjatë gjithë jetës së saj, duke filluar që në vitin 1952, kur ka shkruar artikullin e parë, e deri ditën që u nda nga jeta, më 29 qershor 2001.
“Politika e Italisë në Ballkan 1922-1935, “Çështja shqiptare, cili është thelbi i saj?”; “Kriza ballkanike (Kosova) në kontekstin e sigurisë kombëtare të Rusisë: Vështrim në shekullin XXI”; “Historia e Shqipërisë në shekullin XX”, bashkautore e “Histori e shkurtër e Shqipërisë” etj. – janë disa nga punimet që ka lënë pas.
Veprimtaria shkencore dhe albanologjike e Smirnovës njihet nga autoritetet shkencore të vendit tonë. Megjithëse ajo la një trashëgimi të pasur për Ballkanin e me gjerë, Shqipëria e historia e popullit tonë mbeti “dashuria e parë” e saj, të cilën nuk e harroi asnjëherë, as në ditët më të vështira për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.