John Henderson, 49-vjeçar, ishte një fytyrë e njohur në zonën West Hampstead të Londrës. Jetoi për më shumë se 20 vjet jashtë stacionit hekurudhor “West Hampstead Thameslink”. Vdiq më 19 maj të vitit të kaluar. Kushdo që e njihte Hendersonin – apo siç e quanin vendorët “Johni, shitësi i librave” ose “merimanga”, për shkak të tatuazhit që kishte në fytyrë – e njihte edhe qenin e tij, Sugar.
Johni, shitësi i librave dhe Sugar – me tri këmbë që kishte ngordhur në gusht të vitit 2018 – janë vetëm dy nga katër personazhet që paraqiten në muralin e realizuar nga organizata “Throught Arts We Rise” (Përmes artit ne lartësohemi) themeluar nga artistja shqiptare që jeton në Londër, Alketa Xhafa-Mripa.
Murali që tashmë ka përfunduar në urën e West Hampsteadit është një nderim për Handersonin dhe qenin e tij. Po ashtu, përmes tij, organizata po synon që të tërheqë vëmendjen te realiteti i të pastrehëve. Xhafa-Mripa, për ta kompletuar muralin, ka bashkëpunuar me dy artistë të njohur ndërkombëtarisht për këtë lloj arti, me Zabou dhe Ben Eine.
Për realizimin e muralit me treshen e të pastrehëve dhe qenin, Zabou është bazuar në fotografi të realizuara nga fotografë të njohur në trajtimin e çështjes së të pastrehëve, si fotografja Leah Denbok dhe fotografët Lee Jeffries dhe Simon Brann Thorpe. Amy dhe David janë dy personazhet e tjerë të muralit. Amy është një e pastrehë e cila jeton tash e shtatë vjet në Toronto të Kanadasë. Portreti i saj është kapur si imazh këtë vit gjatë pandemisë nga fotografja kanadeze Leah Denbok.
Pesë vjetët e fundit Denbok po udhëton me babanë e saj nëpër qytete të ndryshme të botës duke fotografuar dhe duke dokumentuar historitë e të pastrehëve. Në anën tjetër, ish-veterani David është një i pastrehë nga New Yorku. Fotografi nga Britania e Madhe e kishte fotografuar Davidin gjatë takimit të tyre në “Central Park”, transmeton ‘koha.net’.
Ai i kishte thënë fotografit se ka kaluar aq shumë kohë, saqë ka harruar se sa vite ka që jeton si i pastrehë. Lee Jeffries, i cili filloi misionin e tij për të treguar historitë e të pastrehëve para më shumë se një dekade, në fotografinë e tij është fokusuar të sytë e Davidit. Në përshkrimin që ai i bën fotografisë së tij, në uebfaqen e tij, ka thënë se sytë e Davidit shfaqin ashpërsinë e jetës në New York.
E dyshja e njohur, John dhe Sugar, është fotografuar nga Simon Brann Thorpe. Ata po ashtu janë edhe personazhet e dokumentarit të shkurtër “Spider” që Thorpe ka realizuar.
“Një portret i një njeriu që lufton me varësinë nga droga dhe alkooli dhe me probleme mendore në rrugët e Londrës. Ky film i shkurtër është një pjesë e vogël e shoqërisë sime me Johnin, para se ai të vdiste”, ka shkruar Thorpe në “Instagram” për filmin 9 -minutash. Portretet me magjinë artistike të artistes franceze Zabou, që vepron në Londër, krijojnë muralin në njërën anë të urës.
Në anën tjetër është artisti i lindur në Londër, Ben Eine, që tregon aftësitë e tij në tipografi dhe ngjyra. I njohur si njëri nga artistët me të mirë të artit të rrugës dhe pionier në eksplorimin e grafikëve me shkronja, Eine në gjuhën angleze ka shkruar “Throught Arts We Rise”. Përderisa portretet janë bardhë e zi, ngjyrat me të cilat janë shkruar fjalët janë të larmishme.