Entela Çarkaxhiu i është bashkuar Filarmonisë së Kosovës në fillim të këtij viti. Më 1 mars, instrumentistja e re interpretoi për herë të parë si anëtare e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës më 12 mars për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit e kanë bërë violinisten që nga ajo kohë të mos vijë në vendin e ri të punës. Të martën e kësaj jave, pas shkëputjes prej më shumë se dy muajsh, ajo së bashku më kolegët e tjerë u janë kthyer përsëri partiturave në sallën ku ushtrojnë zakonisht. Muzikantët në grupe të ndara po përgatiten për koncertet e radhës të Filarmonisë së Kosovës.
Kjo formë e re i ka bërë instrumentistët që të punojnë në orare të ndryshme. Instrumentistët e institucionit më të lartë muzikor në vend po vazhdojnë përgatitjet për programin për vitin 2020 derisa po ushtrojnë për tri koncerte të radhës, duke përfshirë edhe koncertin e madh vokalo-instrumental që planifikojnë ta mbajnë gjatë gushtit në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës. Në këtë koncert do të sjellin premierë një prej veprave më të njohura të muzikës klasike, Carmina Burana të kompozitorit gjerman Carl Orff.
Koncertet e parapara për muajt e kaluar Filarmonia e Kosovës do t’i realizojë kurdo që krijohen kushtet për të interpretuar para publikut. Në të kundërtën, ky institucion planifikon që programin e vitit 2020 ta prezantojë online para publikut. Entela Çarkaxhiu, e cila qëndron në një dhomë së bashku me katër instrumentistë të tjerë, thotë se ndihet e lumtur që u janë rikthyer provave këtë javë.
“Pandemia e ka pasur anën e mirë dhe të keqe, por e rëndësishme është që jemi bashkuar përsëri dhe po luajmë vepra të reja, edhe pse koncertet akoma nuk janë shumë të sigurta që do të realizohen”, ka thënë instrumentistja e re, transmeton ‘koha.net’.
Në mesin e harkorëve që po ushtrojnë paraditeve në këtë institucion është edhe Festim Fanaj. Violinisti nuk i ka qëndruar larg instrumentit të tij as gjatë kohës së pandemisë, duke qenë aktiv me peformanca online për publikun. Megjithatë, Fanaj ka thënë se ardhja në objektin ku mbahen provat për koncert po ia jep ndjenjën e rikthimit në normalitet.
“Tek muzicienti pengon pauza e gjatë. Duhet të jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me instrumentin dhe mendoj se individualisht kemi qenë shumica, tashmë ngadalë po rikthehemi në formën e vjetër”, tregon Fanaj.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës ka thënë se qysh nga 1 qershori kanë filluar punën në koordinim me Ministrinë e Kulturës, duke respektuar të gjitha masat për parandalimin e pandemisë së koronavirusit.