Shikimi i filmave nën qiell të hapur, gërshetimi i zërave nga ekrani me thirrjen e ezanit e kambanave të kishës, apo ulur mbi platformën nën të cilën kalon “Lumbardhi”, japin një ndjesi të veçantë. Diçka e tillë mund të përjetohet gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që mbahet në Prizren. Këtë vit, pikërisht kinematë në ambient të hapur po shihen si avantazh për shënimin e edicionit të 19-të. Një mundësi për të mbajtur distancën, por edhe për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, që po lë shumë paqartësi sa i përket mbarëvajtjes së festivalit më të madh në vend që tërheq audiencë dhe filmbërës vendorë e ndërkombëtarë, transmeton ‘koha.net’.
“Kemi mbetur si në ajër të gjithë”, është komenti i Samir Karahodës, kurator i programit të filmit të shkurtër sa i përket realizimit të këtij edicioni. Kështu, pak a shumë e përshkruan edhe pjesa tjetër e ekipit. Po punohet për ta sjellë një edicion “hibrid”, siç e quan drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari, pasi që një pjesë e programit pritet që të mbahet online.