Regjisori e producentja në “TorinoFilmLab” me skenarin për Kosovën e 2000-s

Është viti 2000. Vendi – Kosovë. Vendorët midis me entuziazmit të çlirimit, kaosit e surealitetit. Ndërkombëtarët gjithandej. Pikërisht nëpërmjet tyre thuret rrëfimi në vendin e sapodalë nga lufta. Një cirk i vogël lëvizës prej tre anëtarësh vjen t’i argëtojë fëmijët. E këtu nis historia e “2000: A post War Odyssey”, skenari i Zgjim Terziqit, regjisorit të ri, i cili me këtë film pret të debutojnë në metrazh të gjatë.

Një shans për ta zhvilluar skenarin punëtoria online “TFL Next – Film Development” që realizohet nga “TorinoFilmLab” e që ka lidhshmëri me Festivalin e Filmit në Torino, i dyti më i madh në Itali, pas Festivalit të Filmit në Venecia. Terziqi bashkë me producenten Valmira Hyseni po marrin pjesë në këtë punëtori që ka nisur në fillim të javës dhe do ta përmbyllë fazën e parë sot (e premte).

Dyshja nga Kosova – që ka bashkëpunuar edhe më herët, në filmin “Salloni” (2019) – është në mesin e 16 pjesëmarrësve, filmbërësve të ri siç u është referuar “TorinoFilmLab”, në shkrimin e publikuar bashkë me emrat e përfituesve. Po me këtë skenar, Terziqi kishte arritur që të jetë në mesin e 8 të përzgjedhurve në konkursin e vitit të kaluar të Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari, si dhe të bëhet pjesë e edicionit të 70-të të “Berlinales” në programin “Script Station”.

Ekipi i projektit “2000: A Post-War Odyssey”, njësoj si shtatë ekipet e tjera sipas përshkrimit në faqen kryesore të programit, punojnë nën drejtimin e producentit izraelit, Eilon Ratzkovsky, dhe profesionistes në zhvillimin e projekteve audiovizuale, francezes Isabelle Fauvel.

Përzgjedhja përfshin pjesëmarrës nga Belgjika, Danimarka, Greqia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, si dhe Kili, Singapori e Shtetet e Bashkuara. Përveç Terziqit dhe Hysenit, pjesë e këtij programi, si pjesëmarrës është edhe regjisori dhe skenaristi Wannes Destoop – i cili ka marrë pjesë në këtë punëtori edhe në vitin 2018 – e që me filmin e tij studentor “Badpakje 46” produksion i vitit 2010, arrit të merrte çmimin e jurisë për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit në Cannes.

Po ashtu, pjesëmarrës është edhe skenarist belg Tom Dupont – i cili ka marrë pjesë në këtë punëtori edhe në vitin 2015 – që bashkë me Peter Monsaert, njihen për skenarin e filmit “Offline”, produksion i vitit 2012. Terziqi ka thënë se janë të lumtur që skenari i tyre është përzgjedhur që të zhvillohet pas disa fazave rigoroze disamujore, transmeton ‘koha.net’.

“Ne menjëherë filluam punën me tutorin tonë, Eilon Ratzkovsky, i cili është producent shumë i shquar e më të cilin bazuar nga përshtypjet e para duket se do të kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Pasi që të përfundojë kjo javë, me pesë ditë intensive në trajtimin te skenari, do të rikthehemi për t’i diskutuar ndryshimet e rrëfimit gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai.