Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur sot thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, “mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë”.
“Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë”, thekson Meta.
“Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje. Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!”, ka përfunduar Meta.
Edhe Kryetari i Kuvendit shqiptar, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit, shkrimtarit, shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.
“Moikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Moikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë”, thekson Ruçi, transmeton atsh.
“Moikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e ka cilësuar një ditë të trishtë sot për kulturën shqiptare.
“U nda nga ne eruditi Moikom Zeqo, ky shpirt i lirë, që luftoi deri në momentin e fundit për jetën, që nuk reshti së përpjekuri për kulturën; një zë opozitar, këmbëngulës, nxitës për të bërë më të mirën, që do të na mungojë të gjithëve! U prehsh në paqe!”, u shpreh Margariti.