Titulli “Mjeshtër i Madh” për rapsodin e njohur Viktor Paloka

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor Paloka, të cilin e cilësoi “një emër të njohur në fushën e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”.

Titulli i lartë iu dha rapsodit Paloka me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti tha se “është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën. Sot, nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij”.

“Paloka ka një kontribut rreth 50-vjeçar në skenë, në krijimtari dhe në drejtim artistik. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht, që në lindje, me këngën dhe rapsoditë. Familja Paloka ka një traditë të vjetër dhe njihet si familje e shquar, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë. Gjatë gjithë karrierës së tij Paloka është kontribues i shquar i folklorit, jo vetëm si rapsod interpretues, por edhe si krijues i qindra teksteve. Paloka ka qenë, gjithashtu, drejtues artistik i Ansamblit Folklorik të Vaut të Dejës dhe organizator i veprimtarive të shumta brenda dhe jashtë vendit, për të cilat është vlerësuar shpesh me çmime, trofe e diploma nderi”, – nënvizoi Meta.

Dashuria e tij për folklorin, vijoi Meta dhe përhapjen e tij është e jashtëzakonshme, duke e bërë pjesëmarrës në shumë simpoziume, konferenca e panele shkencore rreth trashëgimisë kulturore.

“Ndërkohë, që në fushën e publikimeve, për vlerat e trashëgimisë kulturore, zoti Paloka ka dhënë kontributin e tij me botimin e tre librave me tematikë traditat kulturore të zonës, botimin e disa albumeve muzikore, disa dokumentarëve dhe emisioneve televizive. Ajo që e bën Viktor Palokën të veçantë, si rapsod interpretues dhe organizator artistik është njohja e thellë dhe puna me pasion e përkushtim në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së trashëgimisë kulturore të zonës dhe asaj shqiptare”.

“Ekspozimi dhe përhapja e kësaj trashëgimie është shprehur përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale, për të cilat zoti Paloka dhe grupi nga Vau i Dejës kanë gjetur vlerësimin maksimal nga publiku dhe nga specialistët”, – tha Meta.

Edhe pse sot është në pension, shtoi Meta, ai vazhdon me dashuri e përkushtim punën e tij për përhapjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si shprehje e pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.

“Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare jomateriale, si dhe të veprës së tij artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj Viktor Palokën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Në fund të ceremonisë, “Mjeshtri i Madh” i rapsodisë shqiptare Viktor Paloka, së bashku me të vëllain, Toninin dhe mbesat e tij Elisën dhe Glorian, interpretuan tri këngë: për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për folklorin, si dhe “Vallen mirditore”./ATSH