Shqipëria dhe Kosova në një hap për çështjen e arbëreshëve

Shkëmbim ekspertësh e literature shkencore, si dhe projekte të përbashkëta është oferta e institucioneve akademike dhe universitare të Kosovës për arbëreshët e Italisë dhe ata të Zarës. Një javë e ngjeshur qëndrimi në Kosovë është mbyllur të mërkurën me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Nëpërmjet një njoftimi të afishuar në faqen zyrtare në “Facebook”, është bërë i ditur nënshkrimi i marrëveshjes nga drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Diana Kastrati, me institucionin kryesor të shkencës arkeologjike në Kosovë.

“Takimi dhe firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit u zhvilluan në zyrën e drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, z. Enver Rexha”, thuhet tutje në njoftim.

Teksa ka vlerësuar punën e deritanishme të QSPA-së, drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha, ka njoftuar se dy nga punonjësit shkencorë të institucionit që ai drejton po kryejnë studime doktorate në Universitetin e Zarës për Antropologji Fizike, gjë që mund të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me arbëreshët e Zarës, transmeton ‘koha.net’.

Nga e mërkura e javës së kaluar, kjo qendër – si institucioni i parë i shtetit shqiptar që merret me studimin e arbëreshëve – ka realizuar vizitën e saj të parë në Kosovë, të cilën pandemia e kishte shtyrë nga muaji prill kur ishte paraparë të mbahej.

Në një prononcim për KOHËN, drejtoresha e QSPA-së, Diana Kastrati, e ka vlerësuar këtë vizitë si “shpresëmirë” për të ardhmen e këtij institucioni.

“Në momentin e parë të hapjes së kufijve, riaktivizuam agjendën”, ka thënë Kastrati, e cila ka falënderuar profesor Begzad Baliun, që, sipas saj, bëri “hartën” e takimeve me titullarët e institucioneve studimore, kërkimore dhe kulturore në Kosovë me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit.

“Gjatë kësaj vizite ne realizuam nëntë takime institucionale, ndër të cilat pesë me nënshkrim marrëveshjesh bashkëpunimi”, ka thënë ajo.

Gjatë këtyre kontakteve, ka shpjeguar drejtoresha e QSPA-së, ato nuk ishin thjesht pritje zyrtare brenda “kornizave të ftohta të kryerjes së një detyrimi”, por dëshirë reale që Kosova dhe Shqipëria të jenë në një hap në lëmin e studimeve, botimeve dhe aktiviteteve kulturore e diturake që kanë në fokus arbëreshët e Italisë së Jugut dhe ata të Zarës në Kroaci.

Ndërsa ka evokuar takimin me ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, Kastrati ka thënë se titullarët e institucioneve në fjalë u bënë “zëdhënës të atij shpirti unik të quajtur ‘shqiptari’”.

Kështu, një marrëveshje e nënshkruar të dielën me bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” shënoi fillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet shprehën gatishmërinë për shkëmbimin e literaturës shkencore në funksion të hulumtimit të autorëve dhe të të dhënave për arbëreshët.