Ernest Koliqi: Nuk e meritojshim gjith’ at fatkeqësi

Ernest Koliqi

Qi puna asht ndër popuj burim i sigurt përparimi e qytetnije, ka dishmime të pamohueshme në çdo fletë të historisë njerëzore. E mos të mendojë kushi se nji popull duhet të jetë i madh për me zhdrivillue në nji mënyrë të naltë si veçorit e shpirtit ashtu mënyrat e gjallimit landuer, sepse mund të paraqiten shembuj të panjehun kombesh të vogla, të cilat jo vetëm arritne me pasë mjete të larta jetese shoqnore, por edhe lanë trashigime të madhnueshme në shtjellimin e qytetnis.

Djepi i qytetnimit europjan të soçëm qe Athina e moçme. Ajo na fali në dije e n’art idet-nana qi drejtuen edhe gjithënji drejtojnë ecjen krenare të rracës ariane gjatë shekujve. E, pra, Athina s’ishte nji qytet i madh. Riska toke, fare të ngushta, e rrethojshin. Por gjallnija në punë e qytetasve qi ajo ushqei ia bani emnin  fënerë të farfurishëm kah drita e të cilit, në rrymën e moteve, siellen pajada syt e njerëzimit. Athnjezët qenë puntorë të qitun. Lundërtarë, luftëtarë, tregtart, poetën, artista, ligjeratarë, filozofët, çpikasa, ndertuesa. S’kishte degë t’aktivitetit njezuer qi ata mos t’u ushtrojshin, tue u dhanë mbas pak kohe punimeve të dorës e krijesave të mendes at përsosje bukurije që asht vula e gjenis së tyne.

Gjithashtu Florienca e Mesjetës , qyteti i Dantes. Mbretnit e asaj kohe ishin të mbytyn në borxh ndër tregtarë të saj. E këta tregtarë zemër mëdhenj rrahshin me udhtime ta papreme mbarë Europën tue grumbullue pasunina prallzore me të cilat mbandej shpërblejshin bujarisht arkitekta e artista per me naltue pallate mbi shtylla të virgjilta mërmeri, shtëpija verimi rrethue me lulishta plot currila uji gufues, tempuj te mrekullueshëm e ajrorë edhe më i stolisun me piksime e me skalitje; skalitje, piksime, ndërtesa qi kishin për auktorë Giotto-n, Brunellessco-n, Donatello-n, Rafaelin e Buonarrotin. E mund t’i kursejmë adjektivat përse këta emna flasin vetë. Porse, për ne shqiptarët, shembulli ma i gjallë tham asht ai i Holandës. Fati qe i ngurtë për at tokë qi ka pak nijë kilometra ma shum se Shqipnija. Vende vende ma i ultë se deti, mbushë me këneta, fushën aspak të plleshme, dukej tokë e namun, e paracaktueme të rrijë pa banorë.

Po ç’farë mrekullish nuk ban puna? Rraca vepruese qi aty nguli, e qëndrueshme ndër vendime të marruna, e palodhshme në luftë kundra pengimeve të panjehuna, plot besim në forca të veta, e shtrëngoi detin m’u zmbarë tue ia caktue megjet e tue zbatue mbi të urdhnin e vet të prem: e, aty ku ishin dikur moçale të pambarueme, sot shtrihen ara punue për bukuri, e janë ngrehun fshatë të qeta e të lume qi mullinjt e erës kunorzojnë e qi populli ma i dliri i botës i banon tash që pamë si puna e lumnon edhe popujt e vegjël, më lejoni t’a çeku gjendjen e Shqinis e nevojën e madhe përmirësimi që kjo ka. E për me njoftun mirë rrajën e mjerimeve t’ona, të shofim shpejt e shpejt përshkrimet shekullore të kombit. Në të pesëmbëdhjetëtin qindvjet nji frymë e re ishte përhapun nëpër Europë. Humanizmi kishte pasë çelun kroje të freskëta ndiesish përtrise. Ideale të vjetra po prendojshin, nji dashuni e re po lindte në të gjitha zemrat për bukurinë e jetës deri atëherë të mbështjellun me tisat e misticizmes: hylli i ri i kohnave moderne ndritte mbi shpirtin të rreshkun nga nji et shkrumues dije e njoftimi, nga nji dëshir i hovshëm naltësimi e përsosmenije. Jeta po shndërrohej e po bahej ma e lëvizun. Njerëzit zunë me ushqye ide ma të gjana e të njerëzishme, ma të holla e të thella, ma të guximshme e të fluturimshëme. Ndër të tjera ide qi po epshin rektimet e dekës, ishte edhe ajo vigane e preandorisë shejte të gjithunjishme, që kish zotnue mendet ma të nalta të Mesjetës. Po agonte ideja e kombsis; po niste trajtimi i shteteve kombtare mbrenda të cilave sejcili popull donte m’u mbarshtrue mbas nevojave e prirjeve të veta. Shih nj’ atëherë deshtem me krijne edhe na shqiptarët  shtetin t’onë.

Skanderbeu, njeri ma i madh i gjakut qi të ket ba deri tash hije mbi tokë, u orvat me na dhanë nji organizim shtetnuere, tue voglue përherë ma tepër auktoritetin e princave të ndryshëm shqiptarë, të vegjël e të paqetë, qe tue përfshi rreth selis mbrtenore të Krujës të gjithë e Shqipes. Shllim i naltë, andërr epike qi u sos në gjak, tue na lanë vetëm një kujtim të përflakshëm,- kujtim qi na shtyni ma vonë me rrokun armët për liri. Por, sa për atëherë, si diq Kruetani i madh turma të dendura aziatikësh e mbuluen dhen e shqipeve. E na ndodhi ne si atyne qyteteve të moçme, ku langu i zjarrshëm vullkanik ia përshëpjeti i papritun tue pre në nji ças hovin e krejt nji jete në bulim. E për katërqind e s’dij sa vjet humbasme në heshtje e n’amti, shi në kohën e Rilindjes, në kohën e ndërrimeve të mëdhaja shoqnore. Kur të tjerat kombe u nisën kah nji jete ma të arsyeshme e ma e lirë, na u vorruem për së gjalli.

E, pra, nuk e meritojshim gjith’ at fatkeqësi. ( “Leka”, 1932) / Konica.al