Çka është dashuria? Ja si përgjigjet Paulo Coelho

dhimbjen të dua paulo coelho thenie proze observerkult

Nga Paulo Coelho

Në Bilbao binte shi, edhe në botë. Kush dashuron, ka nevojë të dijë nëse do të marrë apo do të humbasë.

Ai po i mbante mirë në baraspeshë këto dy anë. Kur po hynim në hotel, ishte i gëzuar dhe këndonte.

Janë të marrët që kanë shpikur dashurinë.

Sido që ende me ndjesinë e verës dhe të ngjyrave të forta, pak e nga pak, po fitoja disi baraspeshë.

Kisha nevojë të kontrolloja situatën, sepse doja ta çoja këtë udhëtim deri në fund.

E gjitha kjo do të ishte e lehtë, për sa nuk do të isha e dashuruar. Kush arrin të zotërojë zemrën e tij, është i zoti të zotërojë gjithë botën.

Fjalët e këngës thoshin:

Një poemë dhe një trumbetë
E bëjnë zemrën të bredhë.

“Do të më pëlqentë ta lija zemrën të bredhë”, mendova. “Po të mundja ta bëja, qoftë edhe për një fundjavë, ky shi mbi fytyrë do të kishte një shije krejt tjetër. Nëse të dashurosh është e lehtë, do të përqafohesha me të dhe fjalët e këngës do të tregonin jnë histori, që do të ishte historia jonë.

Nëse pas këtyre ditëve të festës nuk do të egzistonte Saragoza, do të kisha dashur pastaj që efekti i alkoolit të mos ikte kurrë dhe unë do të isha e lirë ta puthja, ta përkëdhelja, t’i thosha dhe të dëgjoja prej tij fjalë të dashuruarish.

Por ….jo. nuk mundem.
Nuk dua.
Kënga thotë:
Dalim e fluturojmë, e dashura ime.
Po, dalim e fluturojmë. Brenda kushteve të mia.
Ai nuk e di ende që përgjigjja ime ndaj ftesës së tij është: “Po”. Përse dua ta marr në sy këtë rrezik?
Sepse, në këtë çast jam e dehur dhe e lodhur nga ditët e mia gjithmonë njëlloj.
Por lodhja do të kalojë. Dhe unë do të dua të kthehem menjëherë në Saragozë, në qytetin ku kam zgjedhur të jetoj. Më presin studimet , më pret një konkurs. Më pret një burrë për të cilin kam nevojë dhe nuk do të jetë e vështirë ta gjej.
Më pret një jetë e qetë, me fëmijë e nipër, me rrogën e sigurt dhe me pushime të përvitshme. Nuk mund t’i përfytyroj frikërat e tij, por i njoh mirë të miat. E nuk kam nevojë për frikëra të reja, se më mjaftojnë këto që kam.
Nuk do të mund të dashurohesha kurrë me një njeri si ai. E njoh shumë mirë, kemi kaluar bashkë shumë kohë, i njoh dobësitë dhe frikërat e tij. Nuk arrij ta admiroj si bëjnë të tjerët.
E di që dashuritë janë si digat: po le një vrimëz ku rrjedh një curil ujë, ky pak e nga pak, do të shkatërrojë gjithë barrierën. Dhe vjen një moment kur askush nuk e kontrollon më forcën e rrjedhës.

Nëse bien barrierat, dashuria zotëron gjithçka.

Dhe nuk ka më rëndësi çfarë është e mundur dhe çfarë është e pamundur, kur kemi pranë njeriun që duam: të dashurosh do të thotë të humbasësh kontrollin.”
Jo nuk mund të lë asnjë të çarë, sado e vogël të jetë.”

“Prit pak!”
Befas, e ndërpreu këngën. Hapat e shpejtë jehonin në tokën e lagur.
“Shkojmë”, tha duke më tërhequr nga krahu.
“Prisni!” thërriste një burrë.” Kam nevojë të flas me ju!”
Por ai e nxitonte më shumë hapin.

“Nuk e ka me ne”, tha. “Shkojmë në hotel.”
E kishte me ne, askush tjetër nuk dukej në atë rrugë.  Zemra ime zuri të rrahë fort nga padurimi dhe efekti i alkoolit u zhduk në çast. U kujtova se Bilbao është ë Vendet Baske ku atentatet terroriste janë të shpeshta. Hapat na u afruan.
“Shkojmë”, përsëriti ai duke nxituar.
Por ishte vonë. Figura e një burri, e lagur nga koka te këmbët, u fut midis nesh.
“Ndalni, ju lutem!” tha burri. “Për atë Zot!”
Isha e terrorizuar dhe kërkoja me sy një vend ku të futesha, një makinë policie që mund të shfaqej si mrekulli. Instiktivisht kapa krahun e tij, por ai m’i largoi duart.
“Ju lutem!” thirri burri. “Mora vesh se kishit ardhur në qytet. Kam nevojë për ndihmën tuaj.
Është fjala për djalin tim!”
Burri ia plasi të qarit dhe u ul në gjunjë.
“Ju lutem!” përsëriste. “Ju lutem!”
Ai mori frymë thellë, përkuli kokën dhe mbylli sytë. Për disa çaste mbeti i heshtur, dëgjohej vetëm zhurma e shiut e copëzuar nga dënesat e burrit të gjunjëzuar në rrugë.

“Shko në hotel, Pilar”, tha më në fund. “Dhe fli. Unë do të vij ndaj të gdhirë, besoj.”

*Shkëputur nga ‘Buzë lumit Piedra u ula dhe qava’ i autorit Paulo Coelho

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

KY ISHTE SHKRIMI I FUNDIT I MOIKOM ZEQOS