Nuk e di cili nga personalitetet e historisë dhe kulturës sonë nuk është kontestuar ashpër në këto tridhjetë vite tranzicioni. Kontestime të tilla u bëhen edhe personaliteteve ndër popujt me traditë të gjatë kulture dhe civilizimi, por dallimi qëndron në faktin se ne nuk kemi sistem të konsoliduar vlerash, ndaj kontestimet marrin karakter çoroditës, që në një masë edhe “i ka hije” shoqërisë sonë, e cila ndër shekuj ka përjetuar prerje të vrazhda kulturore, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot.
Kontestimet veç sa fisnikërojnë figurat tona kombëtare, por kjo gjë bëhet zor e akceptueshme shkaku që jemi shoqëri e mbyllur dhe e kapur nga kthetrat e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, mbi bazën e të cilave kemi ndërtuar edhe historinë. Lamartini kishte vërejtur se ne shqiptarët nuk dinim të bënim dallimin mes heronjve dhe tradhtarëve, ndërsa kishte vërejtur se njësoj i kishim çmuar të dyja palët!
Popujt e tjerë me kohë kanë bërë ndarjen e biografisë nga vepra e autorit. Veprat e mira i kanë vendosur në sistemin e tyre të vlerave dhe nuk brengosen për të bëmat e tyre. Do të ishte shumë brengosëse sikur të kishim ndonjë qëndrim institucional, bie fjala sikur Camaj dhe Koliqi të shpalleshin të anatemuar dhe të hiqeshin edhe nga tekstet shkollore, siç ka ndodhur gjatë historisë sonë me shumë personalitete të rëndësishme.
Është e vërtetë që kohëve të fundit sikur janë ringjallur këta dy autorë shumë të rëndësishëm të letërsisë sonë, ndaj kontestimet e këtyre dy figurave duhet të shihen edhe në këtë kontekst, njësoj si rasti me lirikun e madh Frederik Reshpja.
Më në fund a nuk është Ismail Kadare, shkrimtari ynë më i mirë i të gjitha kohërave, që kështu për së gjalli vazhdon të kontestohet ashpër, madje kontestimet shkojnë deri në atë masë sa të bëhen edhe pengesë praktike për marrjen e çmimit Nobel, por megjithatë askush nuk mund ta ndalë armatën e madhe të lexuesve të veprës së tij.
Unë personalisht mendoj se i kemi shumë borxh Koliqit që ende nuk i bëmë një përmendore në Kosovë, në shenjë falënderimi për dhuratën më të madhe që na e fali, ndërsa me dërgimin e dyqind mësuesve na e hapi një dritare, nëpërmjet së cilës, pas shumë shekujsh, pamë dritën e diellit.
Mbrojtja me kaq shumë mllef e këtyre dy figurave, përkatësisht Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, përbën një dëshmi se ne të kaluarën tonë e kundrojmë si daltonistë./ ObserverKult