Shtëpi e braktisur si një guaskë që klith
Zëra vitesh të shkuar dhe një kalendar koncertesh në mur.
Pianistja plakë ka vite që ka shkuar,
në shkallë tashmë veten ngjit
vetëm heshtja dhe ndonjë kufomë kujtimesh
e porsa zgjuar nga letargjia.
Pezhishka gri që endi merimanga e zezë
tashmë është kthyer në një eksponat kufomash
nga të gjitha llojet e insekteve:
miza, mushkonja të vockla dhe të mëdha
flutura të çdo lloji…
Njëra prej tyre, dikur vinte çdo natë
në dhomën time,
Tashmë po prehet këtu, në trupin e harresës.
Mos thirr në krye të shkallës,
më thotë bulkthi rojtar,
përndryshe tastierat e ndryshkura të pianos
do të nisin të luajnë nokturnon e Shopenit
dhe fantazma e pianistes plakë
që shëtit çdo natë dhomë më dhomë,
mund të klithë prej tmerrit dhe…
-pastaj?!
Pastaj insektet do të ringjallen dhe
nokturno mund të shndërrohet në një muzikë vajtimi…
Ndonjëherë është më mirë të dëgjosh këshillën e bulkthave,
-them me vete, sesa të kthehesh në një
personazh thriller nga filmat e Hiçkokut…
Shtëpi e braktisur,
me bar nëpër shkallë,
kufomat e fluturave dhe
një nokturno nga Shopeni
tashmë po hanë njëra-tjetrën.