Dashamir Malo: Velloja e trishtimit të bardhë


Në dukje,
asgjë nuk kishte ndryshuar tek ajo.
E njëjta buzëqeshje para ekranit,
madje tani me dhëmbë më të zbardhur,
falë metodave të fundit.
E njëjta joshje, i njëjti ndikim tek teleshikuesit,
i njëjti pushtet
(pushteti i bukurisë, më i përkohshmi pushtet).
Asgjë nuk kishte ndryshuar në dukje tek ajo.
Veç se, ja, kohët e fundit
kishte filluar hante shumë çokollata,
ndryshonte shpesh modelin dhe ngjyrën
e flokëvë,
brenda një dite ndërronte shumë herë veshjen.
Shkurt nuk ndjehej e lumtur.

Thjesht këtë fakt kishte kohë
që e kishte mbuluar me një vello
trishtimi të bardhë.

 *

Nuk e prita me lirika eseniane,
as me tufa lulesh, nuk e prita.
Thjesht fola nën zë;
Është e rrezikshme të kesh mike një grua
të bukur.
Për t’iu ruajtur rrezatimit të saj,
u përpoqa të mos i qëndroj pranë.
As mesditën e ditës së nesërme
nuk e ndoqa pas,
kur shkoi të lahej fillikate në det.


Nuk u bëra xheloz me ata që shkuan ta vështronin
tek luante me valët e Jonit.

Pas kaqë kohësh,
edhe sot,
jam xheloz me detin e shtatorit.

*
Mbërriti anija e parë me turistë,
pulëbardha e oqeaneve,
e bardha Renaissance*.

Kapitenia Mirey s’qenka më,
Mirey ka ndërruar anije.

E bardha “Renaissance”
më risolli vëtëm kujtimin
e saj!