Lulzim Logu: Sa vret pendimi, të kam pasë e s’dita me të dashtë…

Sa vret pendimi, të kam pasë e s’dita me të dashtë, tash hesht çuditshëm
Skaj qytetit shkoj i vetëm, si një shurdhmemec i trishtuar, nën re’, pa frymë
Dikush më pa, tej supeve mbledhur, me gishta të prajtë më preku, më tundi
Dridhesha si një fletëz e vetme, shkëputur prej lisi, vonë, kur bie brymë.

Sa vret pendimi, të kam pasë e s’dita me të dashtë, kurrëgja më s’ka kthim
Zoti nuk i merr të gjitha njëherësh, la hijen tënde, pas së cilës ngadhnjehem
Dhe luaj si dikur me shtatin tënd, krijesë prej qelqi, e hollë dhe gati në krisje
Diku bie diçka dhe ëndrra ime e lagësht braktis rrufeshëm qenien, ngrihem
Kush ishe ti që fanepsësh syve të mi të malltë, si mjegull e frikshme ikën
Dhe me kristale të butë prej loti, ma mbulon ditën…

ObserverKult


Lexo edhe:

JORGE LUIS BORGES: PENDIMI

E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha
që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë
i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë,
m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.

Prindët m’lindën që ta lu’j
nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë,
për tokë, ajër, zjarm e ujë.
I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU