Vepra e Mengjiqit shfaqet në festivalin e Koresë së Jugut në 250-vjetorin e lindjes së Bethovenit

Veprat e artistëve të përzgjedhur botërorë të muzikës klasike do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar në Seul (Koreja e Jugut) nga tetori në nëntor të këtij viti për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig Van Bethoven, e në mesin e veprave që do të shfaqen në këtë festival është edhe një vepër e kompozitorit/profesorit nga Kosova, Mendi Mengjiqi.

Festivali vjetor në Seul mbahet nga 20 tetori deri më 1 nëntor, ndërsa vepra prej 13 minutash e Menqjiqit e titulluar ‘Forsaken’ (Të braktisurit) do të shfaqet me 30 tetor.

Sipas programit të ditës ( http://www.simf.kr/program.html ) me 30 tetor, pas veprës së kompozitorit nga Lupçi i Epërm, e profesorit në Universitetin e Prishtinës, do të ekzekutohet vepra ‘Misa Solemnis’ (Lutje Solemne) e Bethovenit.

Vepra e Mengjiqit i kushtohet masës së varfër, të vuajtur e të shkelur dhe ajo në një mënyrë është thirrje për shpëtimin e saj.

Për nder të kësaj përmbajtjeje të veprës së kompozitorit Mengjiqi, edhe dita e shfaqjes me 30 tetor është emëruar nga organizatorët koreanë “Salvage of the Forsaken” (Shpëtimi i të braktisurve).

Menqjiqi veprën e tij të porositur nga organizatorët e festivalit e punuar enkas për këtë festival në Seul, pasi e kishte marrë kërkesën për një vepër të re për nga vetë koreanët qysh vitin e kaluar.

Vepra në fjalë të Mengjiqit dhe ajo e Bethovenit do të ekzekutohet nga orkestra simfonike SIMF e Koresë së Jugut, dirigjuar nga Hogeun Yoon.

Është kjo hera e parë që një kompozitor i rajonit të Ballkanit Perëndimor ftohet në këtë festival tashmë 12 vjeçar, dhe është pikërisht kompozitori shqiptar nga Kosova, Mengjiqi, i ftuari i cili me punën e tij tashmë mbi 20 vjeçare në muzikë klasike e ka tërhequr vëmendjen e organizatorëve botëror, e tash edhe në Kore të Jugut.

Dtt-net.com mëson se kompozitori Mengjiqi do të jetë edhe personalisht pjesëmarrës në festivalin në fjalë në Seul i ftuar dhe i kontraktuar nga organizatorët, transmeton ‘koha.net’.

Në po të njëjtin festival me 23 tetor do të ekzekutohet edhe vepra « Ciaccona » e ish-profesorit dhe mikut të ngushtë të Mengjiqit gjatë studimeve në Krakow të Polonisë në vitet 90-ta Krzysztof Penderecki, i cili ka ndërruar jetë në mars të këtij viti. Mengjiqi ndërkohë është duke edhe punuar në një vepër tjetër kushtuar profesorit Penderecki, mëson dtt-net.com.