Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi gjatë ditës së sotme ka qëndruar në komunën e Obiliqit, ku së bashku me kryetarin, Xhafer Gashi e kanë përuruar edhe një nga asetet e trashëgimisë kulturore, Mullirin e Behramajve, në fshatin Graboc të komunës së Obiliqit.
Me këtë rast, Dumoshi u shpreh se monumentet e trashëgimisë, siç është edhe ky mulli, kanë një rëndësi të madhe për trashëgiminë e Kosovës, andaj edhe më tutje do të vazhdohet me kujdes ndaj trashëgimisë kulturore.
“Ky mulli ka histori në vete, daton që nga viti 1864, pastaj u ka mbijetuar shumë luftëra dhe shumë sakrificave të kësaj ane dhe të popullit shqiptar në Kosovë, por më e vlefshmja e cila thuhet, por edhe është, është lufta e fundit ku ky mulli edhe pse nuk ka qenë funksional është funksionalizuar për nevojën e popullatës në atë kohë, e cila ka qenë një krizë e madhe, sidomos e bukës. Mbijetesa ka qenë buka, uji dhe kripa, kështu që kjo është për t’u vlerësuar, sidomos për familjen Mjekiqi që ka dhënë një kontribut të madh”, tha Dumoshi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi u shpreh se ky mulli ka pasur një kontribut të madh në luftën, duke i furnizuar shumë familje me miell.
Para përurimit të këtij Mulliri, Dumoshi së bashku me Gashin vizituan edhe objektet kulturore në këtë komunë, dhe të dy premtuan se do të investojnë edhe më shumë në të ardhmen në këto objekte.