Botuar në 1973 dhe 1988 pas shumë vitesh censurimi: “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”, nga shqiptari Ismail Kadare, tregojnë për tensionet që çuan në përballjen e Shqipërisë së vogël me BRSS-në dhe më pas me Kinën. Ato përbëjnë diptikun “Koha e grindjes”, një tablo mjeshtërore e jetës së përditshme nën një diktaturë.
Fare mirë lejohet të konsiderohet e padrejtë pakënaqësia, nga e cila vuan tashmë shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i nominuar rregullisht për një çmim të shumëpritur “Nobel” për letërsinë, veprat e të cilit janë botuar nga botimet “Fayard”.
Në vazhdim “Télérama” tregon tri arsyet se pse duhet (ri)lexuar këtë shkrimtar të madh:
Sepse lajmet nga Shqipëria janë të rralla
Konsideruar për një kohë të gjatë si kulmi i tmerrit komunist (një rol që tani e ka fituar Koreja e Veriut), sidoqoftë Shqipëria gjatë periudhës mizore të diktaturës së kudogjendur të Enver Hoxhës (nga 1946 deri në 1985), i siguroi botës një shkrimtar të madh, Ismail Kadarenë (lindur më 1936). Duke thithur më shumë nga analiza politike, sesa nga mitologjia, ai i kombinon romanet epike me frymën e së tashmes dhe alegorinë e së kaluarës. Nga kjo vepër, e përbërë nga tregime të shkurtra dhe nga romane-seri, del në pah veçanërisht diptiku “Koha e grindjes”, e përbërë nga “Dimri i vetmisë së madhe” (përfunduar në 1971, botuar në 1973) dhe “Koncert në fund të stinës”, i titulluar edhe “Koncerti” (përfunduar në 1981, botuar në 1988)
Sepse lexojmë një mësim historie plot pasion
Ndërsa Bllokun komunist letërsia e Lindjes e portretizonte përgjithësisht si të bashkuar përballë Perëndimit të urryer, “Koha e grindjes” kronikon tensionet midis Shqipërisë së vogël dhe BRSS-së, mandej Kinës. “Dimri i vetmisë së madhe” zhvillohet gjatë dimrit të viteve 1960-1961, kur Enver Hoxha, pas një refuzimi nga sovjetikët për t’i dhënë grurë “motrës së vogël” të tyre të uritur, vendos që të ndërpresë lidhjet me Hrushovin.
Botimi i saj qe i stuhishëm. Kur u shfaq, në 1973, filloi një fushatë e egër kundër intelektualëve, ndër të cilët Kadare ishte viktimë. Libri u ndalua në 1975. Shkrimtarit iu desh të jepte një version të ri, ku shtoi pasazhe, duke theksuar unanimitetin e popullit shqiptar pas udhëheqësit të tyre të guximshëm. Ishte ky version i dytë, që u botua më pas në Francë, me titullin “Dimri i madh”, tek botimet “Fayard”. Edicioni i ri i botuar në Laffont-Bouquins ofron versionin origjinal.
Pjesa e dytë e diptikut: “Koncerti”, risjell shkëputjen me Pekinin në 1978, kur Hoxha u bashkua me Vietnamin në konflikt me Kinën. Kadare bëri asokohe disa vajtje-ardhje midis Pekinit dhe Tiranës dhe na shoqëron më shumë në anën e borgjezisë së vogël komuniste, sesa midis zyrtarëve të qytetit kinez. I ekspozuar ndaj censurës, këtij romani iu deshën shtatë vjet për t’u shfaqur, transmeton “konica.al’.
Sepse Ismail Kadare është një shkrimtar i madh
Asnjë nga këto dy romane të mëdha nuk kufizohet në temën e tij. Ky diptik, ndërsa vlerëson rezistencën e Hoxhës ndaj presionit ndërkombëtar, njëherazi për Kadarenë është edhe një pretekst për të përshkruar jetën e përditshme të një diktature. Heronjtë, të shumtë, përplasen me erërat e një historie që ata nuk arrijnë ta kontrollojnë.
Të ballafaquar me një fuqi, që sipas gjasës mund t’i zhys në marrëzi të paimagjinueshme, ata jetojnë nën kërcënimin e shkarjeve të mundshme dhe të pakontrollueshme. Te “Koncerti”, shkrimi është edhe më i arrirë, romani i bollshëm, polifonik, ngërthen burlesken dhe tragjiken, individualen dhe kolektiven, satirën dhe emocionin në një përzierje të mahnitshme./Konica.al
(Marrë nga “Télérama”)