Midhat Frashëri: Ejani, o kujtime!

Ejani, ejani, o kujtime, se kam nevojë për ju. Zëmra sot më ka pikëllím. Ejani se u dua.
T’ëmbël a të hidhurë, gjithënjë u kam dashur, o miqt’ e mij. Të ngroht’ a të ftohtë, si do që kini qënë, zëmra u ka priturë me dashurí!
Ini miq të vjetrë: m’arrin të mbyll sytë që t’u shoh këtu pranë meje. Ejani pra, o kujtime.
Kur shpirti më ndjen të ftohtë, kur zëmra ndjen vethen’ e saj jetime, u dua, o kujtime, si i varfëri që trazon hin’e vatrësë për të gjeturë pakë shpuzë. Sa t’ëmbëla i duken at shkëndijat e vogla!
Po edhe në kohë të gazit dhe të shpresësë, ahere kur një e sotm’e qeshurë më bën të dua gjithë kohën e shkuarë dhe të shoh t’ëmbël dhe të bukurë udhën që kam përpara, edhe ahere, o miqt’ e mij, dua të trazoj këtë hî të jetësë që të shoh shpuzën, tà shoh e të gëzohem, e të qesh duk’e flakurë n’erë!

Ineboll, 18/31 Korrik 1912

*Marrë nga libri i Midhat Frashërit: “Vepra”

Përgatiti: ObserverKult