Erina Çoku: Soditja e syve të tu

Erina Çoku

Më pëlqen si ti sheh
ngultas,
me ninëzat e mëdha prej muzgu.

Më pëlqen si ti fle
në brinjë,
me qafën e gjatë lakuar në ëndërr.

Më pëlqen si ti bën sikur fle
vetmor,
me sytë e tu të mëdhenj prej nate.

Më pëlqen si ti ha,
nxitimthi,
me sytë e tu të mëdhenj prej ketri.

Më pëlqen si ti nuk ha
ngadalë,
me sytë e tu të mëdhenj prej agu.

Më pëlqen si ti hesht,
kur nuk duhet
me sytë e tu të mëdhenj prej kaprolli.

Më pëlqen si ti flet
për gjithçka tjetër veç asaj që duhet,
me sytë e tu të mëdhenj prej bufi.

Më pëlqen si ti takohesh
shkujdesur,
me sytë e tu të mëdhenj prej delfini.

Më pëlqen si ti ndahesh
përmallshëm,
me sytë e tu të mëdhenj prej maçoku.

Më pëlqen si ti nuk dashurohesh
trup e frymë e mangët,
me sytë e tu të picërruar prej dhelpre.

Më pëlqen si ti dashurohesh
trup e frymë e plotë,
me sytë e tu të thellë depërtues.

Më pëlqen si ti puthesh
buzëve të mia,
me qafën e gjatë të epshme në dëshirë.

Më pëlqen si ti sheh
ngulmues,
me ninëzat e mëdha si humbakë mjalti.