Ti mos u trishto
Mos u trishto nga ky gjëmim deti
Nga këto re të murme që gati po shemben
Deti me dallgë të zemëruara
Po shkruan poemën tënde.
Mos u trishto por lexoje në mundsh
Poemën që po shkruan deti
Shikoji dallgët, si vargmale të serta rendin drejt nesh
Janë vargjet e poemës time për ty
Vargje deshpërimi, guximi, zemërimi
Rendje shprese për të dalë në breg
Thyhen, coptohen, ulërijnë prej dhimbjes
Ngjiten drejt qiellit, me nxitim e rendin prapë
Drejt nesh që si pikëçuditëse rrimë në bregun e frikës.
Ti mos u trishto
Nga turfullimi i vargjeve
Nga rënkimi e gjëmimi i dhimbjes time
Dallgët – vargje rendin drejt bregut, thërmohen
E kthehen prapë t’ia nisin nga e para
Si ti që ke ndalë vitet nga dashuria
Dhe shkruan përditë në fytyrën time
Ëndërr të re për vdekjen e vjetër.
Në jelet e dallgëve mbahemi
Dhe vallëzojmë përmbi dallgë
Me melodinë e të qeshurës tënde
Deti shkruan me dallgë poemën time për ty.