Në Bibliotekën Kombëtare po punohet me ritme të shpejta për t’ia kthyer “Aneksin” publikut përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “ky projekt synon jo vetëm trajtimin e saj si një vend leximi, por kthimin në një qendër dialogu e pikëtakimi sidomos për të rinjtë”.
“Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, do të mundësojmë projektin, që i jep jetë kësaj dritareje dijeje e kulture”, – tha Margariti.
Ministrja u shpreh se “mijëra libra të pashfletuar më parë për dekada të tëra presin që të hapen. Pjesa më e madhe e sallave ishin kthyer në magazina me thasë librash që askush nuk i njihte. Edhe pse ka qenë një periudhë e vështirë pandemie sot falë punës së palodhur të stafit në këtë periudhë gjërat kanë ndryshuar totalisht”.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.
Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet./Atsh