Ekspozita shqetësuese në Beograd – ditari i kriminelit të luftës, Ratko Mladiq kthehet në art

Për pothuajse katër vjet, artisti serb Vladimir Miladinoviq e nisi ditën e tij me një kafe mëngjesi dhe një ditar të një prej kriminelëve më të tmerrshëm të luftës në Ballkan, Ratko Mladiq.

Fjalë për fjalë, ai kopjoi me përpikëri 400 faqet e fletores në fleta të pastra të bardha, të cilat tani mbulojnë muret e një ekspozite në Beograd duke ngre pikëpyetje se si të konfrontohet një prej kapitujve më të errët të rajonit.

Për artistin 39 vjeçar, detyra ishte pjesërisht një “akt performues i tentimit për t’u ballafaquar me materialin shumë të rëndë me të cilin ende detyrohemi të ballafaqohemi edhe sot, 25 vjet pas luftës”, tha ai për AFP-në nga galeria e vrazhdë në brigjet e Danubit, raporton AFP.

Subjekti i tij, ish-komandanti 77-vjeçar i serbëve të Bosnjës trupat e të cilit kryen gjenocid në Srebrenicë mes krimeve tjera të luftës gjatë rënies së Jugosllavisë, u dënua me burgim të përjetshëm nga një tribunal ndërkombëtar në Hagë më 2017, transmeton Zeri.info.

Seancat e apelit të tij pritet të nisin më 25 gusht.

Derisa procesi ligjor ndaj tij shkon përpara, plagët që ai i ka lënë në ish-Jugosllavi ende janë të hapura dhe trashëgimia e tij personale mbetet një fushëbetejë.

Shumë serbë ende e konsiderojnë Mladiqin hero dhe kanë mosbesim të thellë ndaj gjykatave ndërkombëtare të cilat ndjejnë se janë të njëanshme kundër tyre.

Pas dënimit të tij më 2017, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i bëri thirrje vendit që të “nis të shikojë kah e ardhmja”.

Por Miladinoviqi ka shkuar në drejtimin tjetër: gjetjen e inspirimit artistik përmes zhytjes në detaje të hollësishme të historisë së trazuar të vendit të tij.

Punimet e tij të mëparshme kanë përfshirë një rivizatim të ngjashëm të faqeve të gazetave të kohës së luftës dhe dokumenteve parësore që merren me “pjesët problematike të së kaluarës që janë ende të negociueshme në të tashmen”.

“Banal”

Shkrimet e ditarit, që mbushin muret e galerisë, janë lehtësisht të lexueshme – të shkruara në gjuhë të thjeshtë – por numri i madh i tyre i bën vështirë të absorbueshme.

Të shpërndara faqe për faqe, ato e bëjnë të dukshëm përpjekjen e nevojshme për ta përballur historinë e një personi, individualisht dhe kolektivisht përmes institucioneve si gjykata.

Por faqet, megjithatë, zbulojnë pak për shkrimtarin.

Të hartuara në prozë militariste, këto nuk janë shkrimet e çmendura që dikush mund të presë nga një njeri që konsiderohet “mishërimi i së keqes” nga një shef i të drejtave të njeriut në OKB. Përkundrazi, ato janë një mbajtje e rregullt e shënimeve nga konferencat politike dhe ushtarake, me listat e pikave kyçe që përmbajnë shënimet e secilit folës.

“Në fund, mund të themi se është edhe banal, gjuhë banale që nuk thotë asgjë por në të njëjtën kohë thotë shumë”, thotë artisti.

Disa shkrime janë krejtësisht logjistike, për shembull një që flet për furnizimet e kufizuara me miell dhe vaj për një furrë lokale buke.

Një tjetër jep në detaje numrin e saktë të serbëve në qytete të ndryshme të Bosnjës, që frikshëm ta kujton spastrimin etnik që ndodhi kur Mladiqi skicoi një minishtet në një zonë që dikur ndahej me kroatë a myslimanë.

“E kemi një shtet në pjatë, thjesht na duhet ta marrim”, shkruan një koment gjatë një bisede me Momqilo Krajishnikun, një lider serbo-boshnjak i cili po ashtu u dënua nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY).

Këndvështrimi personal i Mladiqit vështirë se mund të gjendet, ndonëse në një pjesë ai shkruan nën fjalët “kontributi im” se serbët e Bosnjës kanë nevojë për “unitet”, “fuqi njerëzore dhe oficerë”, fonde për zhvillimin e një lufte” dhe për “aleatë”.

“‘E kundërta’ e harresës”

Ekspozita artistike, e titulluar “Fletorja”, është vetëm mishërimi më i fundit i ditarit, i cili daton nga viti 1992, kur nisi lufta në Bosnje, dhe ishte një prej rreth 18 ditarëve të zbuluar nga hetuesit e ICTY-së prapa një muri të rremë në shtëpinë e gruas së Mladiqit në Beograd një dekadë më parë.

Në atë kohë, Mladiqi ishte në arrati dhe nuk u arrestua deri një vit më vonë në Serbi, duke i dhënë fund kërkimit 16-vjeçar të tij.

Të shkruar me dorë në cirilikë, ditarët u transkriptuan nga një ekip i grafologëve në një version digjital.

Teksti më pas është përkthyer në anglisht dhe frëngjisht për anëtarët ndërkombëtarë të gjykatës.

Miladinoviqi e vazhdoi ciklin, duke e shfrytëzuar tekstin në gjuhën angleze si bazë për punën e tij.

Ekspozita ka ngjallur më shumë vëmendje ndërkombëtare sesa vendore, e cila nuk e befason atë.

“Vetë puna po tenton të bëjë diçka që është e kundërta e asaj që shoqëria (serbe) po tenton ta bëjë, të harrojë – të mohojë, të fshijë çështje kaq të rëndësishme nga e kaluara”, tha ai. /Zëri