Helena Kadare: Is u bind se nuk do mund të shkruante letërsi normale, pa i krijuar vetes pak liri

Nga Helena Kadare

Ndalimi i Njollave të murrme tregoi se shteti ishte i vendosur të mos bënte asnjë lëshim në kulturë. As festivalet, as mbledhjet solemne nuk gabonin më njeri. Ato nuk ishin veçse një dekor i gënjeshtërt. Is u bind edhe një herë se nuk do të kishte asnjë mundësi të shkruante letërsi normale, pa i krijuar vetes pak liri.

Ai mendonte se edhe po të mos arrinte dot ta shkruante romanin e “grindjes shqiptaro-ruse”, së paku do ta kishte këtë liri për ca kohë. Madje mendonte se, edhe po të mos ia botonin, ai do ta quante veten të çliruar nga detyrimi për të shkruar për aktualitetin.
Gjithsaherë që punët lidheshin me letërsinë, Is e humbte ndjenjën e realitetit dhe kthehej në një fantazist të vërtetë. Ose na dukej ne të tjerëve ashtu, ngaqë në fund të fundit, me gjithë të papriturat, parashikimet e tij dilnin.
Çelësi i njëfarë enigme në të gjitha këto ishte një ndjesi e tij e përhershme, që çdo njeri do ta quante mendjemadhësi ose edhe më keq, megalomani. Edhe tani, pas kaq vitesh e kam vështirë të gjej fjalët e përshtatshme për këtë. Nuk jepte vërtet shenja mendjemadhësie të hapur në jetën e përditshme, por askush nuk mund të thoshte se ishte modest.

Një fjalë të tillë për shkrimtarët, ai e quante fyerje, ngaqë i kujtonte këshillat e përsëritura: të jeni modestë, të mësoni nga populli etj. Ai ishte i ndërgjegjshëm për statusin e vet si shkrimtar dhe këtë nuk e fshihte.

Me mua po se po, por as me të tjerët nuk kishte ndonjë kujdes e të hiqej i thjeshtë a i përmbajtur. E quante veten pjesëtar të familjes së ngushtë të shkrimtarëve të mëdhenj të njerëzimit (sipas shprehjes së tij) dhe nuk i bëhej vonë ç’do të thoshin njerëzit për këtë. E kam dëgjuar ta shprehte këtë mendim andej-këndej nëpër intervista dhe jam qetësuar kur më është dukur se të tjerët nuk ia kanë marrë për të keq.
Kjo ndjenjë, ky çmim për veten, që quhet i dëmshëm, siç thotë edhe fjala “mendja e madhe e keqja e të zotit”, kam menduar se ka qenë pozitiv për atë vetë. Kjo gjë e ndihmonte të mos i tepronte kurrë rreziqet dhe në çastet e vështira të mos e humbte toruan. Në fund të fundit, të gjithë ata do të zhduken një ditë e unë do të jetoj. Këtë e thoshte shpesh dhe kjo i jepte forcë.
Romani i “grindjes” ishte shpresa e tij për lirinë që kërkonte.
Megjithatë sa vinte e shtynte fillimin e punës për të. Nganjëherë më dukej se bënte sikur do ta shkruante, por nuk e kishte ndër mend vërtet.

*Shkëputur nga libri i Helena Kadaresë: ‘Kohë e pamjaftueshme-Kujtime’

Përgatiti: ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

KUJTIM PAÇAKU: TË GJITHË MË TRADHTUAN NË JETË…