Ju ftojmë të lexoni poezinë “Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët!” të autorit, Adrian Klosi!
I shoh të munduar me kryet në hi
Luftojnë të jetojnë s’jetojnë dot pa luftë
Rrëzohen dhe ngrihen dërrmohen prapë çohen
Batakut i ikin të venë në batak
Po gjakun s’e prishin se prapë do luftojnë
Me thonj e me dhëmbë të kapen pas jetës
Me kryet në hi ta gjejnë një copë bukë
Dhe qeshen e qeshen
Mes baltës ngërdheshen
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Jetojnë në mes plehut dhe thonë “s’ka problem”
Po nga ta kthejnë kokën do gjejnë veç probleme
Telashe dhe halle një mal me probleme
U ikin me vrap, i ndeshin përballë
U mbyllin një portë, u hyjnë në oxhak
I djegin me flakë, u ngjiten në kokë
Po s’jepen ata dhe kokën e ngrenë
Dhe gjejnë pakëz zë për të thënë “s’ka problem”
Ngrihen shulaten
Cfiliten rropaten
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Ia hedhin kujtdo të gjithëve “ua hedhin”
Ligjit ia hedhin kulturës dhe punës
Me shtetin tallen se shteti janë vetë
Dhe shkresat fallco diplomat e blera
Liçensa patenta dëshmi me dy duart
Shiko si fshijnë ngjyrat shiko si ndrrojnë vulat
S’lënë send pa ia hedhur ia futur dhe dredhur
Ia hedhin Shqipërisë, fëmijëve të tyre
Ia hedhin dhe hidhen
Përcëllohen përhidhen
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Harbutë me miletin të urtë me pushtetin
Zënë dridhen nga frika kur shohin polic
Se s’falen me ligjin i falen kërbaçit
Ndaj gjithë qeveritë me ta “s’kanë problem”
Bëjnë kokrrën e qejfit rrëmbejnë me dy duart
Shalojnë kokteje aviona putana
Se kanë të mjelin shyqyr prej nështetasve
U jep dhe Evropa Stambolli e Meka
Jo s’merr gjë shqiptari
I merr ofiqari
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Dhe shajnë e ankohen si s’lënë gjë pa sharë
E shajnë këtë vend me rrënjë e me degë
E zhvasin, përmjerrin dhe prapë e mallkojnë
“Nuk bohemi ne, nuk bohemi jo kurrë
Nuk bohet ky vend ne vuajmë për mend
Shiko pak Evropën shiko Amerikën”
Pa shajnë qeverinë pa shajnë presidentin
(Që i kanë zgjedhur t’u hipin mbi qafë)
Dhe ai që shan
Vetë faj nuk mban
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Dhe gratë e tyre nuk ngrenë kurrë zë
Gatuajnë shpëlajnë kërrusen qerasin
Që burrat të pijnë raki dhe të shajnë
Sa mbeten pak vetëm shkojnë gjejnë gra të tjera
Dhe zënë molloisin me llafe kërdisin
E shkojnë gjithë botën dhe lagjen në gjuhë
Sapo që mbarojnë fillojnë nga e para
Kur derdhet kusia e lënë muhabetin
O gra shqiptare
Të shtypura për fare
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Kur lënë atdhenë e gjejnë pak rahat
Përshtaten si ujët në enën e vet
Pa flasin të gjithë italisht si majmuna
Dhe kurrë italianit shqip s’i mësojnë
Buongiorno cari siamo benissimo
(Gënjejnë si djalli se kaq mirë nuk janë)
Fëmijët e tyre i dinë ca fjalë shqip
Fëmijtë e fëmijve nuk dinë hiçmëgjë
Dhe ndrrojnë emrat
Dhe ndrrojnë zemrat
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Si rendën të gjithë kur kishat u hapën!
U falën dhe ranë të përshpirtshëm në gjunjë
Dhe morën uratën nga prifti nga Papa
Po nisën pastaj prapë nga e para
Të vjedhin altaret misionet muzetë
Ç’t’i duam më kishat tani kemi kioske
Ç’t’i bëjmë xhamijat kur hapëm mejhane?
Jo jo s’shohin kisha nuk shohin xhamija
Feja e shqyptarit ashtë paf/besia
Dhe s’merr dot masa
As Pashko Vasa
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Më dalin në gjumë më shtijnë tmerrin
Të frikshëm të trembur parruar munduar
Më heqin tullat më vjedhin korentin.
ObserverKult
Lexo edhe: