Jorge Luis Borges: Për njeriun që prore është fillikat…
Një njeri vetëm ka lindur, një njeri vetëm ka vdekur në tërë botën. Të pohosh të kundërtën s’është veç statistikë, një tendosje e pamundur. Jo më pak e pamundur se të karfosësh erëmimin e shiut me ëndrrën tënde të dy netëve më parë. Ai njeri është Uliksi, Abeli, Kaini, njeriu i parë që shqoi shejzat, që ndërtoi piramidën e parë, njeriu që shkroi hekzagramet e Librit të Ndryshimeve, farkëtari që gdhendi runat mbi shpatën e Hengisit, Einar Tamberskelveri, harkëtari. Librashitësi që birësoi Semuel Xhonsonin, kopshtari i Volterit, Darvini në kuvertën e Bigëllit, një hebre në dhomën e hekës e, me kohë, ti dhe unë. Një njeri vetëm ka vdekur në Trojë, në Metaur, në Hastings, në Austerlic, në Tarafalgar, në Getisburg. Një njeri vetëm ka kundruar pafundësinë e agullimit. Një njeri vetëm ka ndjerë në gjuhë freskinë e ujit, shijen e frutave dhe të mishit. E kam fjalën për njeriun e përveçëm, për të vetmin, për atë që është prore fillikat.