Brenda një kohë më se dhjetëvjeçare, Krist Maloki i botoi dy vështrime: Naim Frashëri 1925 dhe A âsht poet Lasgush Poradeci?, 1938. Vështrimet e tij u botuan në vazhdime. Pjesa e dytë e vështrimit për Naimin u botua pas tri vjetësh te “Djalëria” e Vjenës (1928), e ai për Lasgushin në dy vazhdime te “Përpjekja shqiptare”, e më vonë pjesa e dytë u ribotua te gazeta “Shqipnija” më 1944. Në veprimtarinë e vet Maloki tregoi interesim për çështje etnopsikologjike të realitetit dhe të historisë së popullit shqiptar pastaj për filozofinë, çfarë mund të vërehet edhe në praktikën e tij kritike.
1.Motivet
Mbas leximit të kujdesshëm të këtyre dy kritikave, mund të thuhet se Maloki nuk u nis mirëfilli të shkruajë për këta dy shkrimtarë nga motive të qëllimuara kritike, po më shumë nga motive të qëllimuara kritike, po më shumë nga motive të aktualitetit kritik të kohës së tij, që na e thotë edhe vetë.
Më shumë u shty nga konteksti i kritikës letrare dhe kjo do të thotë se pati motive të përbashkëta, të bëjë një kritikë të kritikës. Thjesht ai na thotë se ia nisi kësaj pune për të bërë një “kritikë të paanshme” dhe për “të zbuluar të vërtetën e për të hedhur pak dritë” mbi këtë çështje. Një nga arsyet kryesore, simbas tij, që e shtyu të shkruajë për Naimin, për një autor të traditës, ishte që në mënyrë reale ta vlerësojë shkrimtarin, duke u ngritur kundër atyre që e madhëronin dhe atyre që donin ta zhduknin. Apo si e thotë “Kundër kritikave me ngjyrë egoiste e regjionale-patriotike”, të cilit kriter, mund të themi sot, edhe vetë nuk mund t’i ikte. Këso dhe konstatime të tjera do të përsëritë gjatë gjithë kritikës për Naimin. E në kritikën për Lasgushin niset nga motivi që t’i largojë e shpjegojë disa dezorientime në letërsinë e kohës, ku ngrihet konkretisht kundër dy autorëve bashkëkohorë: kritikut dhe poetit.
Në të dy kritikat, fund e krye, zotëron toni polemik, që shpeshherë kalon edhe në fazën e eleminimit. Pra këto ishin motivet të bazuara në situatën e kritikës letrare, që i diskuton këtu, mirëpo në raste të shumta ai e theksonte edhe arsyen e paanësisë së tij në vlerësim dhe në gjykim, simbas koncepcioneve që kishte për letërsinë. Për t’i realizuar këto kërkesa të veta nisej nga disa premisa teorike të psikanalizës dhe të shkollës kulturohistorike në kuptimin e letërsisë. Ishte i mendimit se premisat psikanalitike sigurojnë më shumë objektivitet në vlerësim dhe në gjykim, shkurtë në kritikë.
2. Naimi
Edhe me rastin e botimit të pjesës së parë, Maloki na njofton se botonte pjesë nga një punim më i gjërë me titull “Naim Frashëri Literatura dhe Idea Shqiptare”. Kështu ai donte t’i hulumtojë lidhjet midis Niamit si njeri e poet, Letërsisë dhe Idesë kombëtare në një raport trikotomik. Që në fillim e thotë fare prerë se do të merret me personën e Naimit (shpirtin e tij) dhe, për këtë e zgjedh metodën “genetike”, e cila si mjete përdor: 1. Autobiografinë; 2. Biografinë; 3. Rrëfimet indirekte të të njohurve, e si burime indirekte: 1. Veprën, 2. Dorëshkrimin (grafologjinë) dhe 3. Fytyra (statujat, fizionominë). Në studimin e personës dhe të “milieu-it” njerëzor të Naimit niset nga biografia e L.Skendos. Bashkë me vendlilndjen e Naimit ai e studion edhe fëmijërinë e tij. Këtu e aplikon psikanalizën:
Ditunija e sotshme, sidomos psyhologjia analytike (Psychoanalyse), i jep randsiën ma të madhe ndiesiënave të shkaktueme në fëmijni për formimin e jetës emocionale».
Në bazë të vrojtimeve të tilla, Maloki do t’i nxjerrë disa konstatime në raport me veprën e Naimit: se nga kujtimi i poetit për Nënën që i vdiq në moshën 15-vjeçare ai krijoi tipin e Nënës së Skënderbeut. Pastaj me konstatimin se në fshatin e lindjes Naimi nuk pati mundësi të arsimohej si duhet dhe në moshë jo të zakonshme shkoi në shkollim në gjimnazin “Zosime” të Janinës prej nga nuk mori njohuri të mira për letërsinë, pos në greqishte dhe në poezinë perse e orientale. Maloki e nxjerr qëndrimin e poetit në këtë gjimnaz si faj tragjik. E quan faj tragjik, sepse ai aty u njoh me filozofinë budiste hindase që vinte përmes persishtes dhe në kuader të saj formoi koncepcionin e tij panteist për botën dhe një “pantheizëm esthetik” si e thotë Maloki. Kështu Naimi në kuadër të këtij panteizmi zbulon dashurinë ndaj Universit që ndihet në vjershat e tij, duke shtuar se këtu e mori edhe idenë e “metempsychoses”, të kalimit të shpirtit prej një gjëje në tjetrën, njëherësh se filozofia budiste nuk e ka ndjenjën për histori, po kuptimin për gjithësinë, si koncept johistorik për botën, e këndej Naimi nuk e ka as ndjenjën e “milieuit” tonë, po të atij pers. Madje konstaton se Naimi nuk e pranoi filozofinë e Nirvanës, sepse ajo është mosqenie dhe formimin e tij e nxjerr si ,,kaos mystik”.
Mbas formimit të një koncepti të tillë për edukimin filozofik e letrar të Naimit, Maloki kalon në analizën e veprës së tij, për t’i verifikuar këto çështje që i gjen në personën e poetit. Kështu ambientin e gjen të njëjtë si te “Qerbelaja” ashtu edhe te “Istori’ e Skënderbeut” dhe konstaton se nuk ka kolorit shqiptar. Pastaj thotë se në veprat e Naimit mungon ndjenja e masës, ka zgjatje të tepërta, mungojnë harmonia, polifonia dhe polikrimia (shumëngjyrësia) e të tjera. Përfundon, në bazë të kësaj, se vepra e Naimit nuk sjell “kënaqje estetike”.
Si kundërvënie të veprës së Naimit me koncepte joevropiane dhe pa kolorit shqiptar, e merr veprën e Fishtës, ku sjell shembuj të shumtë të koloritit, të historisë dhe të “shpirtit shqiptar” siç e përkufizon ai. Pastaj shkon aq larg, sa pjesë të “Lahutës” i krahason me “Faustin” e Gëtes për të gjetur ngjajshmëri midis shpirtit shqiptar dhe atij gjerman. Ai vëren se shqiptari si dhe evropianët ka “polaritetin dy-shpirtnuer” në raportin trup-mendje, pra vepron simbas filozofisë së kontrastit, që siguron lëvizjen, aktivizimin dhe përparimin. Kur është fjala për Idenë shqiptare të Naimit, Maloki pohonte se ai këtë ide e njohu me shkuarjen e tij të dytë në Stamboll më 1882: takimi i tij me Abdyl Frashërin, Vaso Pashën, Jani Vreton e të tjerë. Thotë se aty ai mësoi se shqiptari është kundër Budës dhe Krishtit duke pohuar se shqiptari si dhe greku i lashtë është pagan. Për inkuadrimin e Naimit në shoqërinë e Stambolli, si moment vendimtar për jetën dhe veprën e tij, Maloki përfundon kështu: “Zgjimin e vet nga endrimet mystike-kaotike e bën Naimin symbol e ide rreth zgjimit të një kombi, duke marrë mbi vehte një jetë plot rreziqe-por edhe plot gëzime e kënaqje të përbrendshme”.
Për të nxjerrë këtë përfundim, ku zgjimin individual të poetit e identifikon me zgjimin kombëtar të një populli, Maloki sjell argumente të zgjëruara, sa që shpesh bie në kundërthënie. Por para se të japim konstatime më të plota, po e shikojmë edhe rastin tjetër të analizës së tij.
3. Lasgushi
Siç e thamë më sipri, edhe te Lasgushi, në analizën e aspektit kombëtar të poezisë së tij, në metodë, do të niset nga psikanaliza, po jo në personën e tij, mbasi autori ishet gjallë. Megjithatë ai do të japë reflekse të kësaj teorie. Në rend të parë e merr në shqyrtim kritikën dhe kritikun, për të cilin thotë se “sjell mjegullim” me gabimet dhe shtrembërimet e tij të fakteve. Malokit i duket fare i papranueshëm mendimi i Kutelit se “Poradeci qëndron në kulmin e peozisë shqiptare – dhe s’ka shokë në literaturën tonë, por edhe shok fort të rralle në literaturën botnore” (cit. simbas Malokit, vër. jonë). Këtë përfundim të Kutelit e merr si fyerje për shkrimtarët e tjerë shqiptarë, e kritikën e tij e quan negative, me gabime në nocione dhe heterogjenitet të dijeve të ndryshme. Pastaj e analizon personalitetin e Kutelit, për të cilin thotë se e ka shok e mik Poradecin, por në të “fshihet një poet”, prandaj ka “komplekse artistike, të cilat mund të analizohen me mjetet e psychoanalyses â la Freud e Jung”, dhe në këtë prizëm kritikën e tij e nxjerr si “sipërkompenzacjon” të ndjenjave të tij kompleksive artistike.
Më këtë rast Maloki e pranon se Lasgushi ka hyrë në lilteraturën shqiptare, prandaj vepra e tij kërkonte një studim serioz duke shtruar tezën se a është Lasgushi poet. Në këtë pyetje përgjigjet se nuk shtë Poet, Dichter simbas teorie gjermane, e as Vates, sepse nuk e shpreh shpirtin shqiptar në kuptimin e “entit etnik”, e jo si “ent politik apo patriotik”. Këtë e arsyeton me faktin se asgjë shqiptare nuk gjendet në poezinë e tij: nuk ka kolorit lokal, pastaj edhe në çështjen e muzikalitetit që e pranon në poezinë e tij, thotë se nuk është shqiptar, nuk ka polifoni as polykromi e kështu me radhë. I hedh të gjitha ato pika mbi të cilat Kuteli e ngritte si poet shqiptar, madje edhe në pikëpamje të ritmit, të rimës e të tjera. Me një fjalë, shumë gjëra që i thoshte për Naimin, tash i thotë edhe për Lasgushin. Madje konstaton duke shtruar tezën se peozia e këtij poeti në planin e koloritit simbas studimit psikologjik dhe kulturohistorik del e përshkruar me shumë nga spirita poetike sllave, vllahçe dhe rumuno-franceze, çfarë del në esktremitet në vlerësim, por në kuadër të konceptit për këmbim të Maloki, duket si normale.
Kundruall poezisë pa elemente shqiptare të Lasgushit ai e jep atë të Fishtës, të L.Logorit, Asdrenit, Çajupit, A.Asllanit, Mjedjes etj.
Kësaj radhe edhe Fishtës ia pranon koloritin thjesht shqiptar po e cilëson si formë “epike –arkaike”, e atë të A.Asllanit që e quan gjysmëoriental.
Në planin psikologjik, thotë se Lasgushi vuan nga kompleksi i inferioritetit që vjen nga vështirësitë e tij financiare dhe nga frika e sëmundjes dhe infeksionit sa është bërë hypohondër, mizantrop e vetimtar, duke e lidhur me konceptin e bohemit dhe me esteticizmin e tij. Edhe në këtë analizë për Lasgushin si dhe te Naimi përdorte argumente të zgjatura, që më shumë dëshmojnë për kulturën e tij letrare e filozofike. Në të dy këto kritika, në të parën më shumë, e në të dytën më pak, merret me personën (shpirtin) dhe me veprën e poetëve. Për çështjen e parë përdor psikanalizën, kurse për të dytën, për veprën përdor teorinë e shkollës kulturohistorike, e cila, thënë me përgjithësisht, siç vlerësohet sot në historinë e teorive letrare, kishte koncepte etnologjike për kombin. Edhe këto reagime të Malokit e kishin bazën te frika për shthurjen e kombit para hapjes ndaj botës dhe kërkonte që “kultura shqiptare” të bëjë një receptim organik nga e jashtmja simbas nevojave të veta. Te Naimi, për shembull nxjerr përfundime vetëm në mbështetje të botëkuptimit të tij e më pak të gjithë veprës, e te Lasgushi, mendojmë se kemi të bëjmë me problem tjetër, me ndryshimin e percepcionit dhe të ligjërimit të poezisë, që e vërente mirë e me kohë Çabej. Deridiku edhe për këtë ishte i vetëdijshem Maloki, kur e pranon sistemin e “simboleve individuale” të Lasgushit, që është dominant në poezinë moderne dhe e arsyeton miqësinë e Kutelit me të për t’i interpretuar ato, po nuk ia pranonte objektivitetin.
Mandej duke u nisur nga koncepte kulturohistorike dhe nga mentaliteti i edukuar në tipin e poezisë më tradicionale, Maloki nuk e vërente sa duhet këtë shpërndërrim të poezisë dhe të gjuhës poetike në radhë të parë, apo nuk ishte mësuar me një tip të tillë ligjërimi në letërsinë shqiptare. Ky nuk ishte vetëm problem i tij, po edhe i shumë intelektualëve të kohës, të cilët jashtë i çmonin inovacionet e letërsisë moderne, po brenda në letërsinë tonë më pak i pranonin, madje as ata që proklamonin letërsinë sociale , realiste e as ata që proklamonin atë thjesht moderne. Këto ishin probleme që edhe më vonë në kohën tonë bashkëkohore, në forma të tjera dhe me kërkesa të tjera u aktualizuan dhe u diskutuan.
Në fund mund të themi se këto shkrime të Malokit, përkundër të metave që i theksuam, pra pikat e skajshme të tyre, të aplikimit të ashpër të premisave teorike të ndonjë shkolle, luajtën një funksion të duhur, sepse sollën vetëdije dhe përgjegjësi më të madhe ndaj fjalës kritike. Pra nisën kritikën e kritikës në kritikën tonë dhe me vetëdije e inkukadruan vështrimin psikanalitik, e më shumë atë psikobiografik tradicional, siç cilësohet sot, dhe atë kulturohistorik.
Në planin metodologjik kritikës sonë i shtohet edhe një pikëvështrim, që sot e vështrojmë si përvojë e vlerë të mendimit kritik.
* Marrë nga lilbri “Kahe dhe Premisa”, Prishtinë, 1986, f. 108-113
*Shkëputur nga libri i Krist Malokit: Refleksione
Kritikë (letrare), analiza dhe mendime
Përgatiti: ObserverKult