Lasgush Poradeci: Ti po vjen që prej së largu …

lasgush poradeci liqeri

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lotë,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’a shkelish hije- letë ! të m’a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.

ObserverKult


Lexo edhe:

CILAT ISHIN AMANETET E POETIT, LASGUSH PORADECI- FLET E BIJA E TIJ

Ai është një emblemë e poezisë tonë, një personalitet që i dha aq shumë letrave shqipe, por nuk mori sa duhej në këmbim.

Lasgush Poradeci është pa dyshim një prej emrave që ka ngjallur debat ndër vite, për poetin brilant por edhe për faktin që krijimtaria e tij nuk u pozicionua si duhej.

Sot, figura e tij komplekse kujtohet me admirimin e munguar ndër vite por edhe me krenarinë për një emër që dha aq shumë me përulësi të madhe. E bija e tij, Marie Gusho erdhi në “Esencë’ për një rrëfim të veçantë për gjërat që kanë mbetur ende pa thënë dhe për figurën e babait të saj me të cilin ajo ishte shumë e lidhur…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU