Me vështrim të përhumbur, gati qortues, e dhembshurinë që i lexohet në portret, “Naim Frashëri” ritakohet me dashamirësit në Muzeun Historik të Shqipërisë në kohë pandemie.
Klasi i kësaj figure kyçe të Rilindjes Kombëtare, më shumë se në papijonin e skalitur në bustin e Paskalit, endet përmes veprash të tij që “pushtojnë” muret e Muzeut. 120 vite pas ndarjes së parakohshme nga jeta në moshën 54-vjeçare, poeti kujtohet përmes botimeve të tij origjinale si “Lulet e verës”, “Histori e Shqipërisë”, “Histori e Skënderbeut”, “Mësonjtoret e para” etj., si dhe ato që të tjerë shkruajtën rreth tij. Qindra shkrime, ese, libra, pamflete, që paraprihen nga artikujt e titujt e veprave që poliedriku Moikom Zeqo i dedikoi ndër vite, plotësojnë tablonë e një ekspozite modeste, të titulluar “Ti Shqipëri më jep nder”.
“Kjo ekspozitë ka një domethënie të veçantë dhe përmban ballinat e veprave të shkruara nga Naimi, si dhe të atyre që janë shkruar për Naimin. Të gjitha këto përbëjnë një korpus prej 120 veprash, që janë botuar në mbarë trevat shqiptare, por jo vetëm dhe këto vepra përpos ekspozimit shoqërohen dhe nga vlerësimet përkatëse që autorët e tyre kanë bërë për Naimin”, u shpreh drejtori i Muzeut Dorjan Koçi.
Sipas historianit, Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit, për vlerat e patjetërsueshme që i ka dhuruar kulturës shqiptare. “Ai cilësohet si poeti kombëtar i shqiptarëve, për kontributin e paçmuar, pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës.
Një aspekt pak i njohur, është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre”, tha më tej Koçi. Për të nderuar lidhjen e Naimit me bektashizmin, të pasqyruar edhe në ekspozitë, përmes fotografish, artikujsh e veprash, i pranishëm gjatë aktivitetit ishte edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. “Kjo është një punë, që do të trashëgohet edhe te rinia jonë, që edhe ajo bashkë me ne të luftojë për të përballuar vështirësitë. Të frymëzohet për të mbajtur këtë komb, që i ka dhënë botës dhe njerëzimit.
Të përpiqet që edhe ne të bëhemi një popull i civilizuar për t’u futur në Europë, si të gjithë popujt e tjerë”, tha ai. Kyregjyshi Bektashian, më tej, vuri theksin te roli i Naimit jo vetëm në përçimin e mesazhit të bashkimit të shqiptarëve në rrugën e mëvetësisë dhe vetëdijes kombëtare, por dhe në idealin e tij universalist humanist që ai la pas për breza të tërë me anë të veprës së tij.
Ndërsa drejtuesi i shtëpisë botuese “Argeta LMG”, Mehmet Gëzhilli, bashkorganizator i ngjarjes në këtë vit jubilar, solli në vëmendje kujtimet e dy studentëve që takuan Naimin, në ditët kur sëmundja i qe bërë e fortë, aq sa edhe shqetësimi për fatin e vendit të tij. “Episodi që po tregoj na çon në ditët e fundit të poetit,kur dy studentë shkuan ta takonin në Stamboll. Njëri ishte Kristo Frashëri, tjetri nipi i Thimi Mitkos. Sapo hynë Brenda, e gjetën Naimin shumë të trishtuar. I përshëndeti dhe u tha: “Do më falni, sa të marrë pak ilaçet”. Më tej u ngrit, i piu dhe tha: “Shumë të hidhura këto ilaçe, por më e hidhur qenka kjo jeta jonë”. Ata, pasi e kishin parë të ligështuar, u prekën edhe më nga këto fjalë. Por, më tej ai u kërkoi të ulen e befas nisi të recitonte. “Për Shqipërinë/Ditët e mira/ Paskëtaj vine/Shkoj errësira,/Lum kush të rronjë,/ T’a shohë zonjë!”. E pra, vërtetë ne po kalojmë ditë të vështira, por Shqipërinë do ta shohim ‘zonjë’”, thotë më tej botuesi./Anila Dedaj–panorama.com.al