Shënime për librin “Këngë që dëgjohen në sediljen e pasme të makinës” të Arlind Farizit
Dr. Olimbi Velaj
Teksa mbaron leximin e librit “Këngë që dëgjohen në sediljen e pasme të makinës” të Arlind Farizit, vjen pashmangshëm koha e meditimit. Ndryshe nga leximi i prozës dhe ndryshe nga leximi i poezisë, teksti të ofron diçka përtej të dyjave, por që i mbart të dyja. Ai jep njëherësh edhe kënaqësinë e gjuhës, edhe befasinë e zbulimit dhe të shestimit me veten të shumë pamjeve të qenies e të botës, që nuk i kemi parë nga këndi nga i cili i vështron autori. Ai të jep ndjesinë e pamjeve që zbulon blici i një çasti në fotografim, por edhe të një uji që rrjedh.
Libri përmban 33 proza poetike që luhaten edhe nga skica për nga mënyra si janë ndërtuar. Është një arkitekturë e ndërtuar mbi një vend qendror: ndenjësen e pasme të makinës. Kjo ndenjëse është strumbullari që lidh bashkë personazhet që vijnë e ikin nga hapësira me pak metra kub ajër e makinës, që lidh këngët që dëgjohen në kasetofonin e makinës (ato këngë që janë histori e gjeneratave të shekullit të XX dhe kapërcyellit të shek. XXI), llojet e tipave që shijojnë dashurinë ose pothuajse dashurinë në këtë vend, ndjesitë e tyre, llogaritë e tyre, fundet, dhimbjet, ndarjet ose pengjet e përjetshme. Është po ky vend që nxit meditimin për gjithçka.
Autori bashkon në këtë pikëpjekje modernen, elementin e makinës si mjet që transporton zakonisht personat (që është një shpikje për ta përshpejtuar jetën), por që në prozën e tij nuk shërben për të lëvizur, por për të qëndruar, për të krijuar histori të trupit e të shpirtit, ashtu ngutshëm, përkitazi, siç njeriu modern jeton. Dhe pastaj ato pak minuta të jetuara në pak metra hapësirë dhe ajër, bymehen në kujtimet dhe meditimet e personazhit që i rrëfen, duke e tejkaluar kohën dhe hapësirën dhe duke mbërritur në çdo jetë njerëzore. Koha e të jetuarit është shumë më e vogël se koha e të medituarit, por pa kohën e të jetuarit, koha e të medituarit nuk ekziston. Sepse është pikërisht koha e të jetuarit, esenca nga ku nis e ngjizet koha e të medituarit.
Është shumë interesante gjetja e autorit, shumë origjinale në ndërtimin e çdo teksti. Po aq origjinale është edhe brendia e teksteve. Në jetën e jetuar brenda sediljes së pasme koha nuk rrjedh me intensitetin dhe shpejtësinë natyrale, por me një shpejtësi dhe ngjeshje që u ngjan yjeve xhuxhë. Ndodhin pak, shumë pak minuta, aq sa instiktit i duhet të përmbushet ngutshëm. Mirëpo ajo që prodhohet zgjatet pa fund në mendjen e secilit prej përmbushësve.
Është autori që merr përsipër të rrëfejë pjesë të jetës së tij, të qytetit të tij, të brezit të tij, të kohës së tashme. Atij i intereson të fiksojë çastin që ikën. Të shkruajë historinë e së sotmes, që me shpejtësi po kthehet në një histori virtuale. Dhe nuk është rastësi që libri na ofron përveç paraleles së jetës së njëmendtë të jetuar ngutshëm deri në ekstazë në sediljen e makinës, edhe historinë e jetës së ëndërruar përmes eterit dhe jetës virtuale, në të cilën kanë ngecur shumë prej siluetave që ai aq bukur di t’i vizatojë.
Koordinatat janë të qarta: individi, jeta e tij që gjallon sipas pakteve sociale dhe jeta e tij që gjallon sipas qenies së tij së njëmendtë biologjike. Paktet sociale e kufizojnë atë në martesë, në lidhje të qëndrueshme, të detyrueshme, afatgjata, të miratuara dhe që i përmbahen fasadës sociale. Kjo jetë e dukjes e cila vuan nga frustrimi i thelbit, shpërthen në një kohë shumë të shkurtër me një fuqi shumë të madhe, në më pak të pritshmin vend, në sediljen e pasme të një makine të parkuar kuturu diku nëpër qytet. Aty është jeta e vërtetë, jeta pa impusle të ndrydhura, ku ai shfaq anën e tij më pak të njohur, aspak të dukshme në jetën që raportohet zyrtarisht.
Farizi nuk e diskuton faktin e të qenit i moralshëm, ose i pamoralshëm, i drejtë ose i padrejtë. Ai rreket të zbërthejë atë anë aq të pandriçuar të qenies, e cila më shumë se kudo shfaqet kur bie fasada. Duke e marrë të mirëqenë këtë, autori na dërgon në një tjetër nivel leximi. Në atë lexim në të cilin letërsia e vërtetë i shtyn lexuesit: në zbulimin e thelbeve. Sado të përkorë të jenë njerëzit në jetën publike, në jetën e përditshme, në rolet e përditshme që zgjasin aq sa zgjat jeta, ata i ikin këtij konfigurimi, duke iu bindur së pari zërit të brendshëm, atij që kërkon çastin e përjetësisë, i cili tanimë nuk gjendet te rutina që ata kanë ndërtuar, por te thyerja e kësaj rutine.
Në sediljen e pasme të makinës përthyhen si në kaleidoskop të gjitha llojet e jetëve, si një pasqyrë mashkullore: ajo e profesorit që rrëfen, e burrit që kërkon të identofikojë veten, e djaloshit që nuk arrin ende të kapërcejë vetveten, e atij që nuk është i qartë se çfarë kërkon dhe as nuk di si të realizojë, e babait si një prezencë në frikën e subjektit femër, e cila vetëm atij përgjigjet në telefon (sepse vetëm atë ka frikë).
Dhe një pasqyrë femërore, ku një galeri personazhes të sapovizatuara na rrëfejnë për tërë pamjen e shoqërisë së ditëve tona: femra që bën dashuri disa herë, por që largohet shpejt, sepse nuk guxon dot më shumë, sepse jeton në një tjetër konfigurim në të cilin i duhet të jetojë gjithmonë dhe duhet të tregojë besnikëri, femra që servir dashuri, por që nuk e njeh dashurinë, femra që luan me dashurinë, duke e kthyer veten dhe partnerin në lodër, femra që e përjeton thellësisht dashurinë edhe duke munguar, femra që s’mund të harrohet, femra që mund ta harrohet sakaq, femra që mbetet peng i bukurisë së vet.
Në tërë këto përshkrime, Farizi na shpërfaq njëherësh paralele me tekste të letërsisë botërore ose asaj kombëtare. Në një mënyrë ose në një tjetër ai arrin të tregojë edhe qëndrimin e tij për gjithçka që i përket kulturës së kësaj kohe. Kësisoj, së bashku me titujt e këngëve që ndërfut në titujt e teksteve, ai ndërfut herë pas here edhe ide, togfjalësha, vargje, të autorëve që i kanë lënë më shumë mbresë. Këtu teksti i ngjan një kolazhi që ngërthen në vetvete copëza nga kultura e bashkëkohësisë dhe na kujton se jemi në një të tashme që kthehet në të përjetshme.
Kur e mbyll librin, vetvetiu nëpër mend të vjen jeta dhe kuptimi i saj. Kuptimi i jetës për një burrë dhe kuptimi i jetës për një grua. A janë identike këto dy kuptime? Kjo është një pyetje që mbetet hapur. Nëse shoshim qoftë edhe në mënyrë statistikore sjelljen e femrave të skicuara si silueta në tekst, ne kuptojmë se ato janë më pak të lira, më shumë të frustruara dhe gjithashtu kanë më shumë autocensurë. Ndoshta edhe pa e pasur si qëllim, autori arrin të na skicojë me një dorë të sigurt gjithë momentin që po kalon shoqëria e sotme përmes përjetimit të vet dhe përmes një komunikimi që realizohet me një gjuhe të thukët, shumë të kursyer, por shumë të fuqishme. Thuajse çdo fjali ka ngjeshje poetike dhe çdo prozë mbart në vetvete një ngarkesë të pazakontë emocionale. Autori arrin ta artikulojë me fjalë gati plotësisht çdo ndjesi dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është se ai nuk provokon duke shkuar në skajet e ligjërimit, por në skajet e meditimit. Nuk gjen asnjë pasazh në tekst ku ai të rrëfejë në mënyrë prozaike diçka. Mënyra e të rrëfyerit është vetëm poetike.
Duke qenë një libër i shkruar pjesërisht gjatë kohës së pandemisë, në të nuk mungojnë as referencat e kohës së tashme. Një nga prozat më mbresëlënëse mbetet “Nip e dajë”, që bën përjashtim nga lajtmotivi i përgjithshëm i librit, por që është një nga momentet më elegjiake që mund të ndeshen në letërsinë e sotme shqipe.
Duke mos pretenduar për të ofruar një analizë dhe interpretim shterues për librin, por duke dashur të ndaj me lexuesit ndjesitë e mia si dikush që u befasua nga proza e Arlind Farizit, jam e bindur se ky libër nuk do të kalojë pa jehonë dhe se çdo lexues i kohës sonë do të gjejë veten në të.
Duke konfirmuar një nivel mbresëlënës të prozës poetike, duket se në të ardhmen do të kemi të tjerë libra po kaq befasues dhe origjinalë nga i njëjti autor. S’na mbetet veçse t’i urojmë suksese në çdo krijim të ri.