Nga Mirosllav Kërlezha
Ritmi i gjërave. Në qoftë se lëvizja është karakteristika themelore e materies, kurse “lëvizja” organike ngritja e saj më e lartë, arti është pasqyrimi ritmik i kësaj bredhjeje. Rreth njeriut dhe në të lëviz gjithçka. Në rrymimin e sasive jashtëzakonisht të mëdha organike dhe anorganike, në këtë vibracion të kuptueshëm por njëkohësisht edhe të pakuptueshëm të së gjallës dhe së pagjallës, kalojnë përjetshmëri të tëra të vogla të njohjes njerëzore. Pikërisht kjo si zhvillohen dhe zhduken gjërat e pasqyron me fjalë, imazhe dhe muzikë këtë melankoli të vdekjes dhe gëzim të shkrirjes së qarqeve të reja.
Ritmi i gjërave dhe Logosi. Arti flet me valëzimin e imazheve dhe të tingujve. Duke u shqetësuar me ritmin e jetës, ai kalon si rëra nga klepsidra, për ndryshim nga Logosi, që rri i qetë në dinjitetin e hieroglifeve të veta.
Ritmi dhe arti. Ritmi i gjërave dhe i ngjarjeve reflektohet në njeriun me fuqinë e vetë rrjedhjes, shfaqjes së verbër dhe lucide në të njëjtën kohë, sikurse gjithçka rreth njeriut, që është e qartë dhe e turbullt duke marrë parasysh mjetet e varfëra të mendjes së tij. Arti i ka zbuluar që moti, qysh në fillim, imazhet e gjalla dhe të bindshme të të folurit njerëzor dhe kështu ua ka kaluar njohjeve të arsyes.
Në rrugën e njeriut arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes. Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore, arti me lëvizjet zigzake të egërsirës orientohet nën yje dhe midis vullkaneve.
Ritmi dhe fantazia. Parimet shkencore e hutojnë përherë artin, por në esencë para shkencës sipas ligjit të fantazisë, fjalët nuk janë të qarta por përputhen me ligjin e ritmit, me këtë shpallje themelore të natyrës si të tillë.
Nihilizmi i shkencës. Pas jashtëzakonisht shumë kthesave në zhvillimin e gjërave, në bazë të morisë së madhe të përvojave jetësore në fushën e gëzimeve të ndryshme jetësore, pengesave dhe sëmundjeve, shkenca bashkëkohëse ka arritur deri në njohjen se disa organizma, në kuadrin e ndonjë plani ideal, nuk kanë ndonjë kuptim as qëllim të veçantë. Sipas njohjes shkencore bashkëkohëse , gjithçka që ekziston bredh sipas parimit të ngathtësisë së paqëllimtë dhe të verbër të lëvizjes. Se dukuritë as një nga një as sipas llojeve nuk kanë më arsyetim, shihet edhe nga fakti se plani organik i bredhjes së ngathët dhe të verbër ritmike të masës është ndërtuar në bazë të zhdukjes reciproke. Shkenca liberale ka konstatuar se trupi, ëndrrat dhe arsyeja nuk duhet të mendohen si shema ideale, të ndara nga toka. Gjithçka që quhet “shpirtërore” ose e “shpirtëzuar” shkenca disteleologjike e ka interpretuar në bazë të kushteve materiale, si janë renduar dhe si kanë vdekur qytetërimet e ndryshme, e pastaj në bazë të ndërtimit fizik të brezeve njerëzore (bastarde). Sipas ligjeve fizike, që zotërojnë dukurinë e tij, njeriu është pjesë përbërëse e natyrës, si predikonin shumë qartë edhe poetët e Indisë dhe të Heladës.
Fati i njeriut. Duke e vështruar konstitucionin e trupit të njeriut, shkenca e deteologjizuar ka ardhur në përfundim se fenomenet shpirtërore dhe fizike janë korrelacione dhe se nuk mund të ndahen. Fati i njeriut, ky është skeleti i trupit të tij, kështu na mëson mjekësia bashkëkohëse. Fati i tij është gjithashtu edhe politikë, si na mëson prapë diagnoza historiko-materiailiste, e vërtetuar në mënyrë aq tragjike nga historia e shekullit të fundit.
Relativiteti i njohjes shkencore. Arti depërton gjatë “shekujve” nën diktatin e paqartë, të pakuptueshëm, e shpeshherë edhe nervoz të imponueshëm të së ashtuquajturave të vërteta shkencore. Hipotezat shkencore ndryshojnë në mënyrë tekanjoze gjatë shekujve dhe vetëm në kohën tonë, brenda disa dhjetëvjetëshave të fundit, pas autokratizmit të formulave kimike, vetëdijen shkencore e zotëroi një seri e tërë hipotezash të reja: prej Lukrecit e deri te Planku formulat shkencore e përcjellin në mënyrë ritmike lojën e forcave të verbëra dhe shkatërruese, për të cilat poezia që moti ka pasur pamjen e vet melankolike.
Domethënia e artit. Cili është kuptimi i njohjes artistike? Nga perspektiva e hipotezave shkencore bashkëkohëse, një varg i tërë formulash të shekullit të kaluar janë sot naive, kurse gjatë njëqind a dyqind vjetëve kemi frikë se do të bëhen naive hipotezat e panumërta nga perioda jonë bashkëkohëse, kurse afreskat e Altamirës dhe të Laskos do të bëhen njësoj dinjitoze, sikurse kanë qenë atë ditë kur shikimi melankolik i lopës është pasqyruar për herë të parë në vetëdijen artistike të njeriut.
Rruga e mendjes. Mendja e njeriut është ngritur mbi ngathtësinë e verbër të materies deri në një shkallë shumë të lartë. Me urinë e vet, të ndërtuar në vështrimin e çmueshëm, ajo po zotëron shumë disfunksione në lëndën trupore të njeriut. Ajo po largon shumë pengesa organike she shpirtërore me matoda të rafinuara: trupin e sëmurshëm dhe të brejtur të njeriut ajo e ngrit deri në formulën ideale të shëndetit, ajo i zotëron klimat dhe ligjet e stinëve të vitit, rrethet e ditës dhe të natës, forcat magnetotelurike, largësitë e mëdha planetare dhe interplanetare. Shkenca e ka vënë në plan të parë problemin e vullnetit individual të njeriut. Ajo është zhytur thellë në jetën misterioze të gjëndrave dhe, duke përpunuar arkitektonikën e lëndës qelizore, ajo po depërton deri te ligjet e vetorientimit dhe të ekuilibrit të marrëdhënieve të çrregulluara qelizore, deri te rezistimi autonom ndaj pengesave të jashtme, deri te ajo zona e fundit, ku disa stacione qelizore tashmë u nënshtrohen dhe u përulen ligjeve të natyrës anorganike.
Në syrin e qelqtë të shkencës edne shfaqet pyetja naive dhe njësoj magjike e formulës bioorganike, kësaj kuadrature analfabetike, që i ka lindur të gjitha religjionet në këtë rruzullin tonë.
Rreziku nga arsyeja. Vetëdija shkencore është ngritur mbi problemin e brengave dhe të sëmundjeve të ndryshme njerëzore: ftohtjes, skarlatinës, lisë, fruthit, kollës së mirë dhe turbekulozit. Me thikën e vet ajo ka filluar të presë zemrën e njeriut, ajo u ka shpallur luftë pleshtave e mizave vdekjeprurëse, këpurdhëzave dhe bacileve të dëmshme, ajo lundron nëpër të gjitha detet, ajo po shfrytëzon depërtimin teologjik në brendinë e tokës, por është krejtësisht e pafuqishme përballë politikës. Njeriu ka arritur të mbrojë trupin e vet nga shqipet e Zeusit dhe peshqit e Biblës; ai ka arritur ta ruajë me pëlhurë e pullaz ngrohtësinë e vet trupore nën këtë qiell aq të pakëndshëm për njeriun. Ai është pastruar nga zgjebja dhe kandrat, i ka zotëruar rrufetë, ujin dhe zjarrin.
Ai e ka mundur një varg të tërë forcash shkatërruese, por që ta ruajë veten dhe brezet e veta nga kobalt-bomba , kjo ende nuk i ka ardhur për dore. Duke larguar fruthin e diarenë dhe inflamacionin e mushkërive me iniektimin e mikrobëve infektues, ai, nga ana tjetër, po e rrezikon ekzistencën e vet me shpikjet “antibiotike” shumë me të rafinuara, duke humbur rrugën deri në atë masë sa, pa e tepruar, mund të thuhet se arsyeja është bërë rreziku më i madh për jetën e njeriut.
Mossukssi i religjionit. Me shartim zbutet molla, kurse krematoriumi është mjet i zhdukjes së fisit njerëzor në bazë ideologjike dhe raciale në një period asodore të përvojës historike, kur është vërtetuar se asnjë religjion nuk ka pasur sukses në fisnikërimin e njeriut as të botëkuptimeve të tij.
Kuptimi i poezisë. Kuptimi i forcës shkatërruese dhe vrasjes në botëkuptimet dhe bindjet bashkëkohëse njerëzore ka marrë pamjen e nevojës së pashmangshme stihike dhe njeriu, duke jetuar sot nga vdekja dhe nga vrasja si dy forca të egra në natyrën e pazbutshme, harron se është bërë njeri pikërisht në atë moment, kur me vështrimin poetik të gjërave është ngritur mbi gëlltitjen primitive dhe të verbër.
Bukuria dhe morali. Kuptimin e bukurisë në tmerrin e ngjarjeve kozmike njeriu e ka vërejtur në atë çast kur është bërë poet. Kuptimi i jetës është në atë që gjithçka që jeton është –shtazë, kurse njeriu i jep kuptim jetës njerëzore me atë që, duke u shfaqur si Orfeu në mesin e bishave, ka pushuar të jetë shtazë.
Me këtë uvertyrë orfeike ngritet perdja para pyetjes themelore: problemi i artit nuk është vetëm çështje e lojës ritmike sipas ligjit të ngathtësisë së verbër të materies. E fshehta e artit është ajo që nën velin e tij fshihet frymëzimi moralo-intelektual për të gjitha ato përpjekje që njeriun e kanë bërë njeri.
Kjo nuk është vetëm çështje e mënyrës dhe e shkathtësisë së shprehjes, por gjithashtu edhe çështje e fizionomisë morale të njeriut dhe të ekzistencës së tij nën yjet.
Çështja e moralit është çështje e së mirës dhe e së keqes, e së bukurës dhe e së shëmtuarës, e së vërtetës dhe e së rrejshmes , e së drejtës dhe e së padrejtës. Nga antika e deri te beletristika bashkëkohëse nuk ka pasur poezi që nuk ka qenë e ndërtuar në këto kontranocione. Modat letrare kanë bredhur shumë gjatë rrugëve të ndryshme të parrugë, duke shfaqur me mjete të veta, relativisht të varfëra këto kontradikta në natyrë dhe në mendjen njerëzore. Perënditë i likuidojnë titanët, engjujt dhe Prometetë (për shkak të komplotit ateist me dykëmbëshat), kurse njerëzit, prapë, kur pushojnë ta durojnë në mënyrë pasive dhunën e gjaksorëve të mbinatyrshëm, i rrëzojnë perënditë sipas ligjit të forcës dhe të rezistencës. Tiranët i sundojnë turmat, kurse turmat, kur ta zotërojnë ligjin e ngathtësisë së shpirtit dhe të vetëdijes i rrëzojnë tiranët, për shkak të ngritjes së dinjitetit të vet vetjak. Marrëzia lufton kundër mendjes me forcën diluviale, por njeriu, megjithatë, përkundër të gjithave, e ka ndezur dritën e vet dhe kurrfarë forcash nuk do ta zotërojnë vullnetin e tij, pasi të ketë vendosur të ngadhënjejë mbi të gjitha ato që paraqesin negacionin e së vërtetës dhe të drejtësisë.
Letërsia është pasqyrim ritmik i kësaj bredhjeje të mendjes dhe të përvojës njerëzore në realitetin që e quajmë histori, kurse ritmi i këtyre kontrasteve historike ka qenë i vetmi frymëzim i poezisë deri sot.
“Pjesë nga “Referati në plenumin e lidhjes së shkrimtarëve”, 1954, shkëputur nga libri i Mirosllav Kërlezhës: “Ese”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: