Në kujtim të shkrimtarit Albri Brahusha, pjesë nga krijimtaria e tij…

albri brahusha

Askush nuk të sheh kur loton me shiun e ftohtë të dhjetorit…

Aroma Jote vjen gjithmonë bashkë me muzgjet, e ndër mbramje që bijnë kadalë me mall e kambët më nisin drejt rrugës Tande. Dhe futem e rri aty si nji i vorfën që pret, e ndërkohë parfume të tjera vijnë si mjegull që pushton qytetin tonë, aty ku bredhim fshehtas në netë që nuk dinë me mbarue.

E Ti buzëqesh ende mbi këtë pejsazh por njikohësisht rrebtas hesht, në fakt Ti kurrë nuk ke pushue, as je lodhë, thjesht askush nuk të sheh kur dihat plot vrull në shtjellat e erës e loton me shiun e ftohtë të dhjetorit.

Ti je nji stinë prej drite gjithmonë kështu ke kenë, gjithnji i ke ndërrue kangët, fytyrat dhe fjalët, por përgjithmonë i ke dhanë kuptim ditëve dhe netëve pa u mendue për këtë. E ajo që len mbrapa kalon pa bujë dhe ajo që vjen në heshtje, asht kjo qetësi, që pjell trandafila në mes shkretinës, sepse aromat nuk kanë nevojë për fjalë, Ty të mjafton nji shikim i hedhun prej lindjes në perëndim dhe gjithçka nis e mbin, dhe prore nji shikim tjetër prej perëndimit shkon drejt lindjes e çilin lulet.

Pa këto shikime gjithçka do ishte ndalë, por Ti nuk ndalesh. Kush mundet me të ndalë?

ALBRI BRAHUSHA: ASKUJT TJETËR

Si, emrin, thonë, ia
Asaj, nesh, gja, lind, asht, mes, në,
miqsi, dashni, mirësjellje
dhembshuni, lumtuni, pikëllim,
fjalë, heshtje, gëzim, mall,
lodhje, hare, këputje, shpirt, mish
flokë, shikim, ngazllim, huti, paqe
qiell, dhé, ajër, frymë, dritë, lek, shajni, terr
kujdes, përhumbje, tmerr, mëngjes, kohë,
humbje, gjethe, gjetje, kafshim, pështymë,
marrje, peng, dhanie, liri, gjak, hanë,
ditë, tingull, pemë, lutje, puthje, ashtu,
pardje, lule, det, kështu, pra, mirupafshim, pikë,
lamtumirë, presje, përgjithmonë, tundje,
luhatje, rranjë, hukatje, za, tretje, jetë,
përdore, vdekje, kujtim, buzë, nënkresë,
gjuhë, gisht, zift, rrush, erë, ranë, xham,
krypë, lugë, sy, kërthizë, hajde, marre, tepër,
lum, paksa, krejt, dehje, tigër, pus, lojë, drojë
pastër, nesër, po, çfarë, ku, jo, pse, krah ndoshta,
si je, shpindë, a je, keq, gjumë,
beze, mirë, uh, andërr, dalje, zgrip, joshje,
hyrje, oh, zemër, gji, kosh, flakë, trung,
gjemb, derë, pezm, krehje, vezull, libër,
ratë, peshk, urë, cak, lot, mungesë, frikë, shkretinë,
sikur, aty, atje, sot, kurrë, ma, bukur,
nuk, duket a, po, e, sheh, tash, mes, nesh,
s, po, mund, rrin, ASGJA, e, askujt, tjetër.

PIKË

Nji pikë shiut pikë
Qiellit bjen bukur pikë
Në pikë të natës asht dritë pikë
Pika pika zbret dielli pikë
Fjalët pikojnë xhamash mbi hanë pikë
E vijnë në pikë të heshtjes pikë
E kur pikat bashkohen në pikë
Pikë pikon nji yll me bisht në pikë
Fjalët me zili pikojnë pikë pikë
Heshtja pikon e flen mbi pikë
Nji pikë qiell sa nji pikë
Nji pikë sa nji qiell pikë.

ObserverKult

NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI I NJOHUR, ALBRI BRAHUSHA