Ekzistenca e Teatrit, u çel më 17 maj 1945 dhe “vdiq” më 17 maj 2020

Godina e Teatrit Kombëtar u projektua nga inxhinieri dhe arkitekti italian, Giulio Berté. Gjithçka nisi me porosinë e bërë nga Mbretëria Shqiptare në bazë të një marrëveshjeje që ndiqte planin rregullues të qendrës së Tiranës

Nga: Leonard Veizi

Tirana humbi një nga kultet e saj si qendër urbane, godinën e Teatrit Kombëtar, duke fshirë nga harta një pjesë të rëndësishme ku zhvilloheshin aktivitete kulturore por, gjithsesi, edhe një vepër të rëndësishme arkitektonike.

Në vitet e egra të diktaturës komuniste u hodh në erë godina e ish-Komitetit Ekzekutiv, si dhe disa pallate banimi me arkitekturë italiane, për t’ia lënë vendin godinës së Muzeut Historik Kombëtar.

Ansamblit të shkëlqyer arkitektonik, të ideuar nga inxhiniero-arkitektët më në zë të Italisë së viteve ’30, Armando Brasini, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio, iu hoqën edhe dy monumente të tjera, stadiumi që dikur quhej “Qemal Stafa” dhe godina e Teatrit Kombëtar…Teatri Kombëtar u projektua nga inxhinieri dhe arkitekti italian, Giulio Berté. Gjithçka nisi me porosinë e bërë nga Mbretëria Shqiptare në bazë të një marrëveshjeje që ndiqte planin rregullues të qendrës së Tiranës.

Ishte koka kur në Tiranë kishte nisur puna nën drejtimin e arkitektit me famë Armando Brasini dhe fill pas tij punimet për një kryeqytet me arkitekturë perëndimore do të vazhdonin nën drejtimin e një inxhinieri e arkitekti gjithaq të talentuar, Florestano di Fausto.

Terreni për të ndërtuar një Qendër Kulturore iu ble familjes Libohova për interes publik. Sipërfaqja tokës së dhënë për projektin përfshinte 13 mijë m2, prej të cilave 7 mijë m2 mbulohen nga godina brenda së cilës ishte biblioteka, zyra e informacionit, zyra e përkthimit letrar etj. Në kontratë thuhet specifikisht se ai që e blen truallin, nuk e përdor dot për asnjë destinacion tjetër, përveçse për Teatër. Të paktën kështu thuhet në mënyrë zyrtare, referuar materialeve arkivore.

Projekti nisi në janarin e vitit 1938 dhe përfundoi në shtator të 1939, disa muaj pasi trupat fashiste të Benito Musolinit kishin ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri. Për këtë arsye ky kompleks kulture me kinema e teatër u emërua “Savoja”. Godina elegante u ndërtua nga firma “Pater” dhe aty u vendos rrethi italo-shqiptar “Scanderbeg”, si qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese. Për kohën ishte kinema –  teatri më luksoz në Shqipëri, me 800 vende në plate dhe lozha. Ndërtesa e teatrit njihet si një godinë futuriste e Giulio Berté-së.

Në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë Fashiste,  u riemërtua “Kosova”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, në këtë ndërtesë u vendos  teatri i parë profesionist shqiptar, i quajtur “ Popullor”, i cili pas vitit 1990 u riemërua si “Kombëtar”.

Teatri Kombëtar është i pari teatër profesionist shqiptar, i hapur për publikun më 17 maj 1945. Ndërsa shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios.

Në gati 70 vite të ekzistencës së tij në skenën e Teatrit Kombëtar kanë interpretuar aktorët në më zë që janë prodhuar nga shkolla shqiptare e aktrimit. Aktorët e parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Me vonë erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur, si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi, si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu.

Dhe jeta e Teatrit do të vazhdonte me brezat më të rinj.

Ky teatër ka një repertor prej 500 premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare, duke nisur që nga korifenjtë e antikitetit dhe për të vijuar me autorë, si Shekspir, Molier, Çehov, Breht, Ibsen, e deri te më bashkëkohorët si A. Miller, E. De Filippo, T. Dorts, E. Albee e shumë e shumë të tjerë.

Prej më shumë se dy vitesh kjo godinë nuk do të ishte më funksionale.

Sot nuk ekziston më.

Dhe është data 17 maj 2020./(fjala.al)

ObserverKult

————————————————————————————-

Lexo edhe:

17 MAJ 2020, DITA KUR U RRËZUA GODINA E TEATRIT KOMBËTAR/ EDMOND BUDINA SJELL PËR LEXUESIT ÇASTET DHE MOMENTET E ASAJ DITE

“Ora shënon 4.35 një klithme kuji shqyen errësirën “Erdhën”. Si të shpërthenin nga nëntoka një lukuni e pafundme turret me të bërtitura. Tmerron edhe vetë errësirën”.

Frazat që lexon Edmond Budina, janë rrëfimi i vetë Teatrit Kombëtar në minutat e fundit të jetës së godinës në këmbë. Teatri flet dhe përshkruan sulmin e 17 majit 2020.

“Bash në atë çast, kafshët e hekurta makinosaurët më kafshojnë ballinën time.

Është një kafshim i fortë. Pas tre goditjeve të mëparshme mi shter fuqitë. Rrëzimi është i pashmangshëm. Duke u rrëzuar dëgjoj zërin e tij që ulëret. Jashtë, jashtë! Do ju vrasim, do ju varrosim këtu”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult