Janë plot 44 ikona me shenjtorë, apostuj e figura kishtare ndër rrjedhat mijëvjeçare të krishterimit. Struktura komplekse me tri radhë ikonash është një prej objekteve më interesante që shpaloset në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
I njohur si ikonostasi i Kishës së Shën Nikollës nga Rehova e Ersekës, ai i takon shekullit të 19-të dhe ruhet në “Dhomën e kuqe” si një prej mjediseve më impresionuese të Muzeut.
Si të restauruar e ka paraqitur Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar këtë ikonolast që përmban motive të gdhendura floreale, si dhe piktura.
“Gdhendja e ikonostasit është realizuar nga mjeshtër artizanësh, të cilët mbeten anonimë. Mbizotërojnë motive floreale, të cilat janë jo vetëm të gdhendura në reliev, por edhe të pikturuara”, thuhet në një afishim të këtij muzeu në faqen e vet në Facebook. Ai është shoqëruar edhe me një video të ikonoklastit në fjalë.
“Ikonat e vendosura në të, jo të gjitha i përkasin këtij ikonostasi, por arrijnë të qëndrojnë në harmoni me njëra-tjetrën, dhe të përcjellin po të njëjtën magji, si shekuj më parë”.
Ndryshe, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë – i hapur më 24 prill 1980 – është një nga qendrat më të rëndësishme muzeore të Shqipërisë.
Me një fond prej mbi 7 mijë objektesh kulti e arti nga mesjeta e hershme e deri në shekullin 19, kryesisht ikona, si dhe punime nga guri e druri, veprat janë bërë kryesisht nga autorë vendorë. Në mes të tyre spikasin edhe emra të mirënjohur si Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./konica