Timo Flloko: Do të vij…

puthjet timo flloko braktis

V-së

Endem në univers, nëpër yjësi,
përtej fantazisë…
Në mend të kam ty.
Zbres në Hënë,
mbi një dunë rëre.
Det’i Qetësisë
atje një shenjë lë,
për hir të dashurisë,
inicialin tënd “V”,
që koha kurrë s’e fshin.
(E di ti të fshehtën: Erë në Hënë s’fryn.)
Ëndrra, si një balonë ere,
më merr në largësi…

E pazakontë duket, sublime…
Në Hënë, si në ëndërr, ngadalësohet ritmi i fluturimit.
Sendet e humbasin peshën, por jo esencën.

Endem si eremit, gjashtë herë më i lehtë se trupi im,
i çliruar nga rëndesa e vetes,
nga çdo paradigmë.
Dashuria përherë enigmë,
gravitacion biblik.
E di nga Ajnshtajni, ekuacioni magjik:
V-ja afron dy skaje në të njëjtën pikë
dhe i çon ato në infinit.

Nga shkëlqimi i përkohtë një meteor u fik.
Teksa shkrihet në rënie, terri e përpin.
E fal trupin, jo dritën e tij!
E preka me sy, u fik e ra në humbësi.

Mendoj për ty.
Nesër, sa të lindë dielli,
krahët të m’i shkrijë,
si meteor, në s’u djegsha,
a mbetsha qiellit varur,
do të vij.

*Titulli i origjinalit: “Ra një yll”