Jorge Luis Borges: Marrja me letërsi mund të të mësojë t’u bësh bisht gabimeve…

dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

Nga: Jorge Luis Borges

Marrja me letërsi mund të të mësojë t’u bësh bisht gabimeve, por jo dhe t’i meritosh gjetjet. Ajo nxjerr në pah pamundësitë dhe caqet tona të ashpra. Me kalimin e viteve, nxura se isha i privuar prej kadencës magjike, metaforave kërshëritëse, pasthirrmave, veprës së përpunuar me mençuri a asaj me frymëmarrje të gjerë.
Shorti e deshi të merresha me atë që shpesh thërritet poezi intelektuale. Fjala është thuajse oksimoron; intelekti (zgjuarsia) mendon përmes abstraksionit, poezia (ëndrra) përmes shëmbëlltyrave, miteve e përrallave. Poezia intelektuale duhet t’i pleksë ëndshëm këto dy procese. Kështu bën Platoni në dialogjet e tij; kështu dhe Frensis Bekoni në enumeracionin e tij mbi idhujt e fisit, mbi tregun, guvën dhe teatrin. Mjeshtri i zhanrit është, në gjykimin tim, Emersoni; të tillë janë dëftuar, me më pak sukses, Brauningu e Frosti, Unamunoja dhe, sikundër thonë, Pol Valeria.
Shembull i shkëlqyer i poezisë qashtërisht foljore është kjo strofë e Haime Frejereit:

Pëllumbeshë bredharake e përfytyruar
që ndez dashurinë e fundme;
shpirt lulesh, muzike e drite,
pëllumbeshë bredharake e përfytyruar.

Nuk thotë asgjë, por ashtu si muzika, thotë gjithçka.
Shembull i poezisë intelektuale është edhe kjo strofë e Luis de Leonit, që Poja e dinte përmendësh:

I vetëm dua të rroj,
të gëzoj të Qiellit mirësinë,
fillikat, pa dëshmitar,
pa dashuri, pa qiell,
pa urrejtje, shpresë e mëdyshje.

Nuk ka as edhe një imazh. Nuk ka as edhe një fjalë të bukur, veç asaj së dyshimtës dëshmitar, në mos qoftë edhe ajo një abstraksion.
Këto faqe synojnë, ja pa një farë mëdyshje, një udhë të mesme.

Buenos Aires, 29 prill 1981

Përktheu: Azem Qazimi

Përgatiti: ObserverKult

borges
Jorge Luis Borges

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NUSJA NGA KOSOVA