Eneda Tarifa tregon pengun e fundit të Kujtim Prodanit

Këngëtarja thotë se ishte duke bashkëpunuar me kantautorin për disa projekte që mbetën përgjysmë, pasi ai u nda nga jeta, të mërkurën.

Eneda Tarifa tregon se Kujtim Prodani po merrej me recitalin që donte të realizonte në kujtim të Anidës: “Festivalin për të ëmën e kishte shumë merak. Mendoj se tani ndoshta na takon ne të bëjmë një festival në kujtim të të dyve, edhe të Anidës, edhe të Kujtimit”. Këtë Eneda e konsideron pengun që Kujtimit i mbeti pa realizuar.

Eneda kujton kantautorin si artistin që i bënte të gjithë për vete. “Kemi ndarë shumë momente të bukura së bashku, ai kishte merak një koncert të përvitshëm që bënte në Durrës për hapjen e sezonit doja të risillja një këngë me të, Kanape-n por nuk ia dolëm dot”.

Kujtim Prodani humbi betejën me Covid-19 pasi qëndroi disa ditë në spitalin “Shefqet Ndroqi”./Top Channel