Halil Matoshi: Me kânë e me dashtë

halil matoshi

Me pasë hije do me thanë n’kuvende
me u përmend si me kanë aty…
“Ço Zeqir* bajrakun – su’n pe luj p’ej gjaku!”

Me marrë urdhna nga t’vdekunit
gatitu me qinrue n’kâmë
T’gjallve uzdajë me u dhânë!

Flamurtar je, do me thanë!

E mbajnë nalt t’shtypunit kit’ flamor
bashkë me shpirtnat e stërgjyshve kohnavet ramun dëshmorë…

Me kângë, si Muja e Beqa* si n’darsëm n’luftë me shkue
T’vraftë réja – fisi mos me t’mallkue

Me mbajtë kit’ flamor me shpirtë n’ër dhâmë, me bé
Shkelsit mos me ia lanë trofe
E me vù kamë mi kit’ dhé

Flamurtar pra je, rrufe!

Fort i dashunumë n’kit Atdhe
Duhet me kanë, n’luftë me shkue
Si deka Embetha* me u l’shue…
me t’u djegë flamori n’dorë si kandil me u sosun
pa e lânë përdhé me râ, plandosun.

Me mbajtë n’shpinë vramë nji vlla
e n’krah vurratën

Flamurtar, merr vesh paç uratën!

Me t’u djegë flamori n’dorë do me thanë me vallzu në zjarr
Me u djegë bashkë me shéj, qindrestar

Merr vesh ti, flamurtar!

Nuk je i dashunuem nëse nuk digjesh
Për ni grue që do – për nji Atdhe ku rrno’

Prandej deka nuk t’ka marrun sa t’shkruhet poezi
Për flamor t’djegun e trup t’bâmë hi

Flamurtar merr vesh, ti!

————————————-

  • Zeqir Llausha, bajraktar i Llaushës, i ramë në luftën e Prokuplës(1878) në anën e ushtrisē osmane kundër asaj serbe.
  • Mujë Krasniqi e Beqir Gashi, dy luftëtarë trima të UÇK-së, ranë në kufinin Kosovë – Shqipni, më 1998, në nji betejë fyt për fyti me forcat serbe të sigurisë.
  • Embetha – vlen si kushtrim “Bjeruni”, i ushtarëve të Lekë Dukagjinit, që në shqipe arkaike do me thanë: “Mbi ta”!?