N’se prej Zotit asht thanë me vdekë, ma fort do t’due atbotë


Nga: Elizabeth Barrett Browning

Qysh un të due? A e thonë kte shembuj fjale?
Të due aq thellë e nalt e gjanë sa s’mundet
shpirti me ndie veç i prirun kah fundet
e Qënies vetë, kah hiret ideale.

Të due njisoj me diell e me qiri,
si nevojën e qetë t’ajrit përditë.
Pastër si burr qi lavdinë neveritë,
lirshëm si trimi n’luftë për drejtësi.

Të due me besën e vashnisë, të due
siç tallazin e brëngavet qysh motit.
Të due me at’mall qi u duk se pat prendue.

me shënjtët e prenduem, me gaz e lotë,
me frymë e me gjith shpirt. E n’se prej Zotit
asht thanë me vdekë, ma fort do t’due atbotë.

Përktheu: Arshi Pipa