Carlos Alberto Montaner: Hipokrizia dhe frika
(Fragment nga libri me ese “Liria: çelësi i përparimit”)
Hose Marti thoshte se liria ishte e drejta që kishte çdo njeri i ndershëm për të menduar dhe për të folur pa hipokrizi.
Por nëse gërmojmë pak më thellë nën lëkurën e këtij përkufizimi, do të gjendemi gjithashtu përballë njërës prej rrënjëve më të thella dhe më shkatërruese të totalitarizmit që është hipokrizia ose mohimi i paturpshëm i së vërtetës së qartë. Sepse hipokrizia është boshti mbi të cilin mbështetet përherë tirania. Tirania, sidomos kur arrin kufijtë monstruozë të totalitarizmit, gjithmonë ka një të vërtetë të njëanshme dhe mbështetet në disa tekste “të shenjta”, të pashmangshme, me të cilat interpreton dhe shpjegon realitetin. Dhe para tyre duhet vetëm të përsëritësh mekanikisht diskursin zyrtar. Para tyre, kërkohet vetëm hipokrizi, dorëzim i fjalës dhe heshtje.
Si e arrijnë tiranët këtë formë monstruoze të bindjes së neveritshme? Përvoja thotë se arrihet përmes frikës nga ndëshkimi. Së pari, gjuha duhet të demonizojë viktimën, duke e quajtur tradhtar, përçarës, heretik, revizionist, krimb ose çfarëdo epitet tjetër gjithë ngjyra ogurzeza, që nënkupton se më pas vjen ndëshkimi. Dhe dihet se ndëshkimi moral është vetëm paralajmërim i zi i ndëshkimit fizik…
Kësisoj, frika drejton marrëdhëniet midis qenieve njerëzore që i nënshtrohen tiranisë. Frika nuk ka asnjë objekt tjetër përveç të nxisë një sjellje hipokrite midis njerëzve. Një sjellje e gërshetuar me fjalë të pashqiptueshme, me gjeste pëlqimi të rreme dhe nënshtrim gjymtues.
Tirania është një botë, ku nuk ka rëndësi as e vërteta as integriteti i njerëzve. E vetmja gjë që i intereson tiranit është të dëgjojë korin unanim të vartësve, të legjitimojë dhe të justifikojë veprimet e tij në atë murmurimë belbëzuese skllevërish. Sepse ai dhe bashkëpunëtorët e tij përherë kërkojnë një koherencë të caktuar zyrtare, njëfarë arsyetimi. Forca brutale nuk ekziston në gjendje të pastër, qysh kur njeriu arriti të flasë dhe artikulojë mesazhet e veta. Për ta ushtruar atë, duhet të ndërtohet një mesazh i rremë, në kundërshtim me realitetin, por i pajisur me logjikën e tij, me të vërtetën tjetër të tij.
Përktheu: Bajram Karabolli
Carlos Alberto Montaner (1943) – shkrimtar, gazetar dhe politikanë kuban.
Përkrahu revolucionin kuban të 1959-s, por një vit më vonë, kur pa se komunistët e Fidel Kastros po pushkatonin në masë kundërshtarët e tyre me gjyqe revolucionare, të çastit, u revoltua. E arrestojnë dhe e dënojnë 20 vjet. Duke qenë se ishte 17 vjeç e shpien në burg minorësh, prej nga arratiset dhe shkon e strehohet në ambasadën e Hondurasit.
Ka jetuar kryesisht në SHBA, por edhe në Spanjë.
Ka botuar tre romane dhe më shumë se njëzet libra me ese dhe artikuj.
Ka marrë tetë çmime të ndryshme, duke filluar me Çmimin e Gazetarisë Nju Jork 1975.
ObserverKult