Poezi nga Erina Çoku
Dashuria thërrmohet si bukë
për shpendët përtacë të strehëve
për milingonat e egra të qoshkave
për humusin e pemëve të mbijetuara
në qytetin e turbullt ndanë një mali.
Dashuria bëhet lëndë veshtullore
u ngjitet të gjitha objekteve
u vishet reliev i padukshëm ndërtesave
u shkruhet në shpinë kalimtarëve
si gjuhë e turbullt fatthënash.
Dashuria lëshohet prej qielli si lavjerrës ore
kacavaret bimë toke mureve të plasaritura
rri pezull gjendje e pestë e lëndës
ngjishet brenda krijesës
si një shqisë e përveçme ende e panjohur.
Dashuria shpërbëhet në tinguj
jehohet në trupin tim,
jehohet në trupin tënd,
mbush hojëzat e krijesës që jemi.
Dashuria ndodh kështu, ndodh dhe ashtu
shndërrime të vogla në tempullin që jemi
gjersa ne njohim veten tonë të panjohur,
duke u parë në njëri-tjetrin.
ObserverKult
Lexo edhe: