Nga Jorgjeta Babliku
Një grua…lind me dhimbjen… (Për t’u mësuar si të rritet me të, ndoshta?!)
Një grua…i bën makiazh dhimbjes së saj cdo ditë. (Për t’ia fshehur vetes apo botës?!)
Një grua e shkrin me të kuqin – flakë të buzëve akullin e dimrit të saj. (Për të ngrohur veten, ndoshta?!)
Një grua e vesh “në luks” krenarinë. (Me trokitje takash i kujton vetes apo botës, ndoshta, se vlen?!)
“Luksi” i një gruaje është mes rreckash ndonjëherë. (Ndoshta…për të mos bërë ziliqare veten apo botën?!)
Me dobësinë e saj ushqehet varfër ndonjëherë (shumë herë, gjithmonë) një grua. (Për t’i treguar vetes, apo botës se ajo mbinatyrshëm, mbijeton?!)
Psherëtimash, nxjerr shpirtin e rrëmbimthi e rikthen në kraharor. (Për t’ia fshehur edhe vetes edhe botes, ndoshta?!)
Një lot e fsheh dhe një buzëqeshje zbulon një grua. (Për t’u dukur ajo apo bota më e bukur?!)
Një grua di si mund të bëhet bashkë mendja e zemra. (Mendja e saj punon sekondë pas sekonde duke ndjekur ritmin e zemrës, ndoshta?!)
Një grua di të gjeje gjithmonë një zgjidhje. ( Punon me forcën dyfish të shtuar që i japin mendja dhe zemra së bashku, ndoshta?!)
Një grua…lind me dhimbjen…jeton për ta lehtësuar atë…largohet …me dhimbje…heshtur…Një grua!
Kush tjetër ka madhështinë t’i bëjë të gjitha këto?! (Një grua, ndoshta?!)/ ObserverKult