Faik Konica: Flokë-flokë, ngadalë, po bie borë…

Kthjelltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën. Vjeshta e trishtimshme erdhi e iku. Tani, po hyn dimri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftohta.
Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…Prapa qelqeve të dritares, po shikonj. Ngadalë-ngadalë, sikur ka frikë të dëgjohet, bora fluturon flokë-flokë e shtrohet mbi dhe.
Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukurojë. Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshrat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafila të argjendtë.
Djemtë qeshin, hidhen, lozin e luftojnë me topa. Zogjtë vërtiten rrethe rrotull prakeve ciu-ciu, një thërrime buke! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.
Flokë-flokë, ngadalë, po bie bora…/ ObserverKult