Ervin Hatibi: Statujat e Poetit

Poezi nga Ervin Hatibi

Gurore dhe robër lufte nën
Gjinkalla të Sirakuzës
E sata herë në histori që shkruhet
Për ta: djem Athine, robër dërrmuar
Nën gjinkalla siciliane
Gjinkalla mesdite, metronomë
Robër athinas që recitojnë
Në radhë, zinxhirët prush në qafë
Para kritikut letrar lokal
Buzët plagë, përcëlluar
Kishin sulmuar Sirakuzën
Flamur kishin muzën e tragjedisë
Dhjetra anije, ushtarët rreshtuar
Si rrokje, rrahin shqytet me ushta
Dhe ujin me rrema –një poemë
Gdhendur Mesdheut, basoreliev
Përfundoi thyer kaq keq
Kob kush ra rob
Një bllok gur zëvëndëson
Me trupin e vet përditë në gurore
Rrokje për rrokje, blloqet. Gjinkallat
Shpërthejnë fishekzjarrë
E dielli mbush plagët me kripë
Ushtar rob athinas guroren mbush
Gropa-gropa me ditët e tij
Përveçse kush mund të recitojë
Poezi-fiton lirinë, kthen në Athinë
Ku dhe jeton poeti, adhuruar
Gjer përtej deti në Sirakuzë, në provincë
Betohen në emrin e tij. A nuk na thoni
Të mundur armiq, hapni gojë
Ç’ka shkruar kohët e fundit ai?
Dorëzoni vargjet e reja të tij
Në dini-të lirë pastaj ikni
Ju të tjerë të mjerë, këtu vdisni
Në Sirakuzë edhe sot, natë e ditë
Gjinkallat ende rënkojnë greqisht
Robër rreshtuar përpara jurisë
Me këmbë trokasin ritme në radhë
Në koka gërmojnë, gdhendin fjalë
Përpara kritikut të tmerrshëm letrar
Dhe sa u kthyen në Athinë
Ata që deti mundi të kthejë
U derdhën në kodra, rrugica
Ku është, poetin ta gjejnë
T’i kërkojnë falje, ta falënderojnë
E kaq shumë kohë po vonojnë
Të dalin nga shtëpi e poetit
Kur thyen derën, ashtu i gjetën
Thërrmuar me gjithë poetin, statuja
E kujt ish’ kjo buzë, i kujt ky gisht
Gërryer guroresh nga Sirakuza.

ObserverKult


Lexo edhe:

ERVIN HATIBI: TI JE? TI JE? E NJËJTA?