Mos më pyet ku jam
Ndoshta isha duke bredhur mes pluhurinash
Duke mbjellur farën time të shkurtër përjetësisht.
E kurora ime e braktisur shfletonte
dhembjet e botës së mekur një nga një.
Mos më pyet ku kam qenë
Kjo gjë e vogël si mund të ketë përgjigje
Ndoshta isha Eva që hëngri mollën
Ndoshta Teuta që luftoi me romakët.
E ndoshta një Helenë e sajuar
Që vjen me vra ndërgjegje.
Mos më pyet ku do jem
Ndoshta si një puhizë e lehtë do zhubravis zemrat e thyera
Mbase si një drizë e shkëputur do të marr udhën,
vetëm, që të fanitem në kujtesën tënde jetëgjatë.
Ndoshta do të kthehem në mijra vende e shekuj larg,
për të përshëndetur këtë shpirt plak.
Mos më pyet, se ti i ke pergjigjet, unë kam sall hije drite.