NJË LULE
Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…
O NËNË
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.
Ibrahim Kodra: piktori që ka pirë uiski me Heminguejin, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin, e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra, ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita…
Më 7 shkurt 2006 u nda nga jeta piktori shqiptar me famë botërore, Ibrahim Kodra. Artisti ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetėm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.
Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason, treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.
Kodra lindi në Ishëm, më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë, me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai largohet nga Roma dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës.
Kodra, ka ekspozuar në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si: Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, kritikë dhe regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u miqësua me piktorin e famshëm Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë, në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, ku të dy së bashku, kryen një hulumtim të thellë artistik./konica.al