Sa pak po lexohet sot, kë ta fajësojmë për këtë gjë?

agim baçi: dashurisë
Agim Baçi

Nga Agim Baçi

Kë të fajësojmë sot për bjerrjen e leximit? Shkrimtari francez Daniel Pennac ka tentuar të ngrejë telajon e madhe të soditjes mbi këtë fenomen mbarëbotëror ku mund të vëmë të gjithë pikëpyetjet se përse nuk lexojmë më si më parë.

I ardhur “Si një roman” përmes përkthimit të Edmond Tupes dhe shtëpisë botuese “Pegi”, Pennac sjell një guidë jo vetëm të shqetësimeve të mosleximit por edhe të mundësisë për të rikthyer leximin.

Përvoja e tij si mësues vjen në respekt të plotë të lirisë së lexuesit, por pa përjashtuar asnjë nga hezitimet e “të rriturve” për t’iu përkushtuar leximit.

“Ku gabuam?”, pyet Pennac. E më pas, përgjigjet po vetë: “Menduam se të lexuarit është si të ecurit, që mësohet vetë. Por nuk është kështu, sepse leximi duhet udhëzuar”.

Ironikisht ka ndërtuar 10 rregullat e lexuesit, duke përfshirë “të drejtën për ta lënë librin në mes”, apo “të drejtën për të kapërcyer disa faqe”, apo edhe “Të drejtën për të mos lexuar fare”. Por të gjitha këto të drejta, të lëna “në dorë të lexuesit” janë vetëm parapërgatitja e madhe për të shkuar drejt leximit.

Duke i dhënë të drejtë lexuesit të vendosë, Pennac veçse i jep rëndësinë që ka lexuesi për letërsinë, rëndësinë e madhe që ka lexuesi në të kuptuarit apo në shpërndarjen e mesazhit.

Si mund ta rikthejmë magjinë e leximit? Duke kritikuar botën e pushtetshme të televizionit dhe internetit?

Jo, nuk mund të fajësojmë askënd edhe pse nuk i përjashtojmë fuqinë që kanë këto fenomene në lënien pas dore të leximit sot në botë.

Për Pennac është e rëndësishme që të gjejmë shtigje të reja të komunikimit për librin me qëllim që ajo magji që vjen për tyre të jetë “e dukshme”, domethënë e pranishme.

Rojtarë të “këtij shtegu” të rëndësishëm për leximin janë udhëzuesit, mësuesit e mirë, debatuesit publikë, të cilët duhet medoemos të bashkëbisedojnë hapur për librin.

Por me çfarë magjie mundet ta joshim lexuesin? T’i themi që bota nuk është zbuluar prej tij? T’i themi që nuk është i vetmi që humb, por të tjerë përpara tij kanë humbur dhe ai mund t’i njohë përmes librit?

T’i themi që për dashurinë ka qindra e qindra histori ku mund ta gjejë veten qoftë në zhgënjim ashtu edhe në sukses, e që të mos ketë nevojë t’i humbë ai të gjitha, por edhe të mësojë nga humbjet e të tjerëve?

Mund t’ia themi të gjitha këto, por herë me prindërit e herë me një mësues të mirë, që di ta sjellë librin si një ngjarje që mund të na ndodhë të gjithëve. Ose të dijë të na thotë se nga cilat libra nuk mund të shëtisim lirisht.

“Si një roman” është një guidë e rëndësishme për pyetje dhe përgjigje, për të respektuar lexuesin në qëndrimin e tij, por edhe për t’i dhënë të besojë se fuqia e letërsisë është e përbotshme, që të bënë me miq që në jetë mund të mos qëllojë kurrë që t’i njohësh, që të jep përshkrime që në shëtitje nuk do të kesh “fuqinë e syrit” t’i shikosh.

Se, siç thotë Mark Tuein, “Çdo njeri në një vepër arti shikon atë që ka brenda vetes”.

Ndaj, kush dëshiron të shohë më shumë gjëra brenda vetes duhet të përpiqet ta mbushë të brendshmen e tij me shije, histori, qëndrime apo gjykime që kanë ndodhur rëndomë në botë, në kohë të ndryshme, e që, për më tepër, mund të ndodhin dhe me atë vetë në të tashmen apo të ardhmen.

Kjo është magjia e letërsisë, dhe kjo është guida e pyetje-përgjigjeve që Pennac sjell përmes një ironie të hollë, që shpotit çdokënd ëmbëlsisht drejt librit.

*Titulli i origjinalit: “Një ftesë për shijen e leximit”

ObserverKult


Lexo edhe:

FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS / PROGRAMI…