
Një lexim krahasues i zërit «Marie Kokolari» të Bajram Kosumit dhe poezisë «Grue me shumë vorre» të Dije Demirit-Frangut
Nga Ismail Syla
Në fund të rrëfimit të Bajram Kosumit për Musine Kokolarin, lajmi i vdekjes së saj nuk ka kujt t’i shkojë. Në poezinë e Dije Demiri-Frangut, Musineja i lë flokët në dorë një gruaje që ka ardhur në gjurmët e saj. Një jetë shuhet pa adresë në prozë dhe gjen një dorë të hapur në poezi. Midis këtyre dy pamjeve shtrihet pyetja që i afron veprat: çfarë mund të ruajë letërsia nga një jetë që dhuna politike është përpjekur ta fshijë prej kujtesës së përbashkët?

TREGIMI
Shenjtëria laike dhe simbolika e objekteve si kode rezistence
Zëri enciklopedik Marie Kokolari (1917–1983), pjesë e ciklit Libri për Pesë Mariet në postromanin Enciklopedia Imagjinare të Bajram Kosumit (fq. 404–407), e shndërron figurën historike të shkrimtares së parë shqiptare dhe disidentes antikomuniste në një arketip të tragjedisë ekzistenciale dhe metafizikës së kohës. Kosumi e zhvendos emrin e saj nga Musine në Marie për ta futur në një paradigmë universale dhe biblike të martirizimit femëror (krahas katër Marieve të tjera në të njëjtin cikël).
Sipas tregimit të Kosumit, Kokolari në sytë e banorëve të Rrëshenit, shihet si një figurë transcendentale (“Ecte si një zot nëpër Rrëshen… Athua të jetë kjo Shmria?”), duke krijuar një situatë tendosjeje mes persekutimit politik (“armike e popullit”, “shtrigë”, “gjarpër”) dhe brerores së shenjtërisë e dinjitetit të paprekshëm (librit të palexuar). Në shëtitjet e saj të pasdites në Rrëshen, Maria mban një libër në dorë edhe pse nuk ka më fuqi të lexojë. Libri zhvishet nga funksioni i tij praktik dhe bëhet shenjë semiotike e sfidës: një dëshmi e heshtur se shpirti i saj intelektual nuk është dorëzuar. Në këtë vazhdë simbolike hyn gardëroba e saj modeste: fustani i verdhë, pardesyja blu dhe çanta e leskëruar: Veshja e saj e vjetruar por e mirëmbajtur funksionon si një tekst kulturor që i kundërvihet uniformitetit dhe varfërisë shpirtërore të sistemit, duke ruajtur shenjat e klasës dhe të individualitetit (“zonjë” – fjalë e ndaluar borgjeze).
Një episod prekës dhe shumë domethënës është ai i Eglës. Fëmija i afrohet Maries dhe ajo i përkëdhel flokët. Nëna e tërheq vajzën dhe i shpjegon se një përqafim me atë grua mund t’i kushtojë me burgosje. Edhe Maria përfytyron se vajza që sot e prek me dashuri, nesër mund ta godasë me gurë. Frika ka depërtuar deri në mënyrën si e përndjekura e pranon qoftë edhe një shenjë mirësie.
Rrëfimi i Kosumit denoncon dhunën epistemike të diktaturës, e cila jo vetëm burgos trupin, por përpiqet që të fshijë biografinë dhe vetë gjurmën e njeriut. Në një letër të Enver Hoxhës, te pyetja cinike e tij (“Ende qenka gjallë ajo rospia?”), teksti zbulon mekanizmin se si pushteti e redukton intelektualen në “mosqenie”. Vetë akti i varrimi të saj me qerre gomari, nën kërcënimin e thyerjes së shtyllës kurrizore për qytetarët, vulos paradoksin final: “S’kishte asnjë adresë. Jetohej pa emër.”
Ontologjia e kohës, vetmia dhe vdekja e zgjatur
Filozofia qendrore e këtij teksti është konceptimi i kohës jo si rrjedhë lineare, por si torturë ontologjike. Ndryshe nga Prologu i librit, ku autori flet për “dendësimin e çastit” (f. 14) si akt krijues që e afron njeriun me Zotin, te Marie Kokolari çasti është i zbrazët dhe i dhimbshëm. Këtu autori nxjerr në pah metafizikën e kohës së copëzuar, gjegjësisht metronomin dhe mikrosekondat). Ajo i shndërron 18 vitet e burgut në 9.460.800 minuta, duke e përjetuar secilën si një vdekje më vete (“Vajza vdiq nëntë milion e katërqind e gjashtëdhjetë mijë e tetëqind herë”). Përgjatë gjithë internimit, metronomi (trak-tak, trak-tak) zëvendësoi orën. Ajo zgjodhi “sekondën e zëshme” për të qenë e vetëdijshme për çdo thërrime kohe që i vidhet jetës së saj.
Përmes vështrimit të fiksuar në murin e laskaruar dhe tullat e kuqe, Kosumi shpërfaq kundërshtimin e dikotomisë krijim – vdekje e ngadaltë. Maria zbret nga mikrosekonda në thellësinë gjeologjike dhe kozmike (miliona vjet të gurit, pllakat e Gilgameshit, vrimat e zeza që gëlltisin sistemet diellore). Ky depërtim kozmik është e vetmja formë arratisjeje e mendjes së një trupi të burgosur. Maria mishëron vetminë absolute të qenies që mjaftohet me veten (“Unë jam Ajo që jam” – një formulë biblike e vetë-identitetit të Zotit, e përdorur këtu për të shprehur autarkinë e të përndjekurës). Në mënyrë filozofike, teksti shtron pyetjen mbi vlerën e jetës së zhveshur nga liria: a është mbijetesa e zgjatur më mizore se ekzekutimi i menjëhershëm? Fjalët e saj para vdekjes (“Çka fitova që nuk më pushkatuan edhe mua? Më mirë të mbyllja qepallat atëherë sesa të vdes çdo sekondë pak e nga pak, për dyzet vjet!”) e përmbysin instinktin biologjik të mbijetesës, duke e paraqitur vdekjen e ngadaltë si formën më ekstreme të mizorisë.
Rrëfimi metakronik, onomatopeja dhe fundi grotesk
Në tregimin e ti,j Kosumi zbaton atë teknikë shkrimi që në hyrje të veprës e quan “rrëfim metakronik” nga Pika Z (një lartësi vrojtimi që bashkon perspektivën historike, dokumentare dhe psikologjike). Narratori kalon me lehtësi nga të dhënat faktografike (vitet e botimit të librave, krijimi i partisë social-demokrate më 1946) te monologu i brendshëm i Maries dhe kujtimet e mëvonshme të banorëve të Rrëshenit (si episodi me vogëlushen Egla). Autori përdor krahasime të ftohta e të përditshme për të nxjerrë në pah absurditetin e vuajtjes. Përshkrimi i 18 viteve burg në një fjali të vetme (“Njoha tetëmbëdhjetë vite burgu”) krahasohet me bisedat banale (“e piva një kafe në Tirana International” ose “e takova rrugës fqinjën”), duke krijuar një kontrast tronditës mes peshës së tmerrit dhe thjeshtësisë së gjuhës. Përsëritja e fjalëve, fjalitë e shkurtra prerëse (“Stop!”, “As varri nuk i dihet…”), ndarja rrokje-rrokje (“tje-tri, tje-tri, tje-tri…”) dhe onomatopeja e metronomit (“Trak-tak, trak-tak”) krijojnë një ritëm hipnotik e klaustrofobik që imiton rrahjet e zemrës dhe tik-takun e pandalshëm të kohës në izolim (ritmi sintaksor dhe onomatopeja). Te varrimi, fjalitë shkurtohen. Përsëritja e përemrit të pakufishëm mohues askush shënon mungesën e lotit, të lutjes dhe të lajmit.
Tregimi i Kosumit për Marie Kokolarin kulmon me groteskun dhe alegorinë politike: personifikimi i sëmundjes në fund të tekstit (“urdhëruan kancerin t’ia merrte shpirtin rospisë… sidomos kur këtë punë e bën sipas porosisë!”) duke dëshmuar të vërtetën tragjike: praktika totalitare depërton edhe në biologjinë e viktimës.

POEZIA
Ndërtimi i kuptimit, identitetit dhe kujtesës
Poezia “Grue me shumë vorre” e Dije Demiri- Frangut e ngre figurën historike dhe biografike të Musine Kokolarit në nivelin e një martireje simbolike dhe një figure mitike të dhembjes kolektive femërore e kombëtare. Ndryshe nga rrëfimi analitik e metakronik i Bajram Kosumit, poezia e Dijes ndërton një hapësirë lirike të ngjeshur, ku trupi, memoria, dhembja fizike dhe gjeografia e vuajtjes shndërrohen në lëndë të drejtpërdrejtë poetike. Poezia ndërtohet mbi një identifikim të fortë mes autores lirike në vetën e parë dhe figurës së Musinesë (si dhe grave të tjera të përndjekura). Figura e “molla t’kputuna nji dege” e vendos fatin e tyre nën një rrënjë të përbashkët dhimbjeje dhe këputjeje nga jeta, duke e bërë dhembjen e Musinesë të përjetueshme brenda vetëdijes së subjektit lirik.
Titulli dhe vetë boshti kuptimor i poezisë (“Grue me shumë vorre”) e shndërrojnë varrin nga një vend i vetëm fizik në një shenjë të shumëfishuar të vuajtjes e të kujtesës. Lëvizja nga burgu i Burreli drejt Rrëshenit e Fushë-Lumthit dhe deri në Katedrale krijon një hartë të brendshme të sprovës, ku çdo ndalesë mban peshën e persekutimit dhe të kujtesës së pashlyer. Kështu, gjeografia e tillë e dhembjes i shumëfishon varret. Dhuna e përjetuar nuk mbetet vetëm jashtë subjektit, por prek edhe vetë gjuhën e lutjes dhe raportin me të shenjtën (“Harroj fjalët e lutjeve, harroj Zotin”). Kuptimi këtu lind nga brishtësia e skajshme: kur dhembja kalon çdo kufi njerëzor, edhe fjalët e ngushëllimit apo të lutjes zbehen, ndërsa kujtesa ruhet përmes gjesteve, plagëve dhe gjurmëve.
Trupi i plagosur, koha e akullt dhe mbijetesa e kujtesës
Në këtë poezi, trupi dhe mjedisi i mbylljes janë të ngarkuar me kujtesë fizike dhe mjekësore-metaforike: muret e Burrelit shfaqen me “multisklerozë të moshës” dhe “vrushkujt e gjakut”, ndërsa sytë janë të mbushur me dimra që shpërthejnë me acar. Në aspektin filozofik, dhembja nuk është thjesht një ndjesi kalimtare, por një gjendje ekzistenciale që gërryen qëndresën e brendshme dhe e shndërron qenien në dëshmitare të vetë shkatërrimit të saj.
Ndryshe nga koha e copëzuar në njësi të matshme mekanike, koha te poezia e Dijes përjetohet si dimër i brendshëm, acar dhe legjendë. Kohë stinore dhe mitike kundër harresës: Eshtrat e mbjellë në tokë në formë legjendash tregojnë se ajo që shteti dhe dhuna donin ta zhduknin, rikthehet në formë rrëfimi e miti të pashuar. Shndërrimi i subjektit lirik në statujë në Katedrale shpreh një gjendje kufitare mes ngrirjes nga dhimbja dhe ngritjes shpirtërore. Prania e freskave që ulin kryet e qajnë me të dhe e shpirtrave të lidhur me litar të kuq që ngjiten qiellit si xhita fëmijësh (kukulla të vogla prej lecke) e zhvendos tragjedinë nga rrafshi thjesht historik në një dimension simbolik të pafajësisë, brishtësisë dhe të ngjitjes përtej dhimbjes tokësore.
Poetika lirike dhe figuracioni
Poezia “Grue me shumë vorre” është lirizëm me ton elegjiak dhe me ligjërimi të ngjeshur. Ajo mbështetet në një diskurs të koncentruar, ku çdo imazh mbart ngarkesë të lartë emocionale dhe simbolike. Kalimi nga mjedisi i ashpër i burgut te hapësira e Katedrales krijon një kontrast të fortë mes ashpërsisë materiale dhe solemnitetit shpirtëror. Në pah del metafora e brishtësisë dhe figuracioni i prekjes fizike. Imazhet si “molla t’kputuna nji dege”, ai i flokëve të lënë në dorë si një flutur, oi dimrave në sy dhe xhitave të fëmijëve të lidhura me litar të kuq ndërtojnë një poetikë të brishtësisë së pambrojtur. Këto figura nuk zbukurojnë thjesht vargun, por e bëjnë të prekshme cenueshmërinë e jetës përballë forcave shtypëse. Edhe ngjyra e kuqe dhe ngurtësia e statujës bartin simbolikë të mprehtë. E kuqja (e gjakut dhe e litarit që lidh shpirtrat), acari i dimrave dhe ngurtësimi si statujë funksionojnë si nyje stilistike që lidhin realen me simboliken. Teksti ruan kështu një tension të vazhdueshëm mes rënies fizike nën peshën e torturës dhe ngritjes poetike përmes dhembshurisë dhe kujtesës.
KRAHASIMI
Edhe pse të dyja tekstet i kushtohen të njëjtës figurë – Musine Kokolarit – dhe ndajnë të njëjtën ndjeshmëri etike ndaj tragjedisë së saj, ato operojnë në regjistra të ndryshëm gjinorë, estetikë dhe hapësinorë.
Gjinia dhe perspektiva. Te Bajram Kosumi (Marie Kokolari), kemi të bëjmë me prozë metakronike dhe enciklopedike, ku shfaqet një narrator i jashtëm dhe i gjithëdijshëm, i cili kombinon biografinë, dëshminë e të tjerëve dhe introspeksionin filozofik. Ndërsa te Dije Demiri Frangu (Grue me shumë vorre), kemi poezi lirike në vetën e parë (“Unë”), e cila flet përmes një zëri subjektiv që bashkëndjen dhe shkrihet me fatin e Musinesë (“Unë e ato – molla t’kputuna nji dege”).
Hapësira dhe gjeografia. Teksti i Kosumit përqendrohet në Rrëshenin e internimit (rruga e vetme që fshihet me fshesë, dhoma dykatëshe, muri me tulla) pas 18 viteve burg, ku Rrësheni shërben si skenë e heshtjes dhe e izolimit publik. Nga ana tjetër, poezia e Dijes nis nga burgu i Burrelit (“Burrelit maje gishtash eci”, muret me multisklerozë të moshës, vrushkujt e gjakut) dhe zbret në Rrëshen e Fushë-Lumth, duke përfunduar në Katedrale.
Përjetimi i kohës.Te Kosumi, koha është mekanike, e matshme dhe atomike (minuta, sekonda, mikrosekonda, tik-taku i metronomit), duke u shfaqur si një kohë që vret ngadalë përmes përsëritjes së pafundme. Te Dija, koha është mitike, stinore dhe legjendare (“Sy mbushun dimna e dimna m’shpojnë me acarin e tyre”, “eshtna të mbjellur në tokë / Në formë legjendash”).
Qëndrimi i protagonistes. Protagonistja e Kosumit shfaq stoicizëm krenar dhe autarki: Maria ecën e drejtë, me libër në dorë, duke sfiduar syrin e pushtetit dhe duke ruajtur dinjitetin e “zonjës” deri në vdekjen e vetmuar. Tek Dijau, mbizotëron brishtësia dhe martirizimi tronditës: Musineja shfaqet si një flutur që i lë flokët në dorë autores për ta lidhur shpirtin, e dërrmuar nga torturat deri në krizë besimi (“Harroj fjalët e lutjeve, harroj Zotin”).
Motivi i vdekjes dhe varrit. Në prozën e Kosumit, motivi dominues është vdekja e zgjatur dhe fshirja: ajo vdes 9.460.800 herë në burg, ndërsa varrimi bëhet fshehurazi me qerre gomari, pa emër, pa lot dhe pa adresë. Në poezinë e Frangut, vjen në pah shumëfishimi i varreve (“Grue me shumë vorre”), sepse për shkak të vuajtjeve të pafundme dhe eshtrave të shpërndara të martirëve, ajo nuk ka një varr të vetëm, por shumë varre simbolike.
Ngushëllimi dhe shenjtëria. Te Kosumi, vetë Maria shihet nga populli si një figurë hyjnore (“Shën Mëria”), por në vetminë e saj nuk ka asnjë ngushëllim njerëzor apo hyjnor, duke mbetur e ngrirë si statujë. Te Frangu, subjekti lirik shndërrohet vetë në statujë në Katedrale, por aty gjen një empati kozmike dhe artistike: freskat ulin kryet dhe qajnë me të, ndërsa shpirtrat e lidhur me litar të kuq ngjiten qiellit. Aty ku proza tregon se si pushteti e bën të rrezikshëm një gjest afërsie (e reja Egla), poezia përfytyron një dorë që mund ta pranojë dhe ta ruajë atë (Dija).
PËRMBLEDHJE E LIDHJES INTERTEKSTUALE
Të dyja veprat plotësojnë njëra-tjetrën në rindërtimin e figurës së Musine Kokolarit. Ndërsa Bajram Kosumi e ndërton portretin e saj përmes ftohtësisë analitike të kohës së copëzuar, ironisë ndaj diktaturës dhe krenarisë së heshtur të gruas që nuk thyhet publikisht në Rrëshen, Dije Demiri Frangu hyn në brendësinë e traumës fizike e shpirtërore, duke e lidhur fatin e Musinesë me gruan shqiptare dhe duke kërkuar shpëtimin e kujtesës përmes dhimbjes poetike dhe artit (freskat që qajnë). Te Kosumi ajo ngurtësohet në statujë nga pesha e mikrosekondave, te Dija (tek autorja metaforikisht) ngurtësohet në statujë në Katedrale nga pesha e torturës dhe e harresës së Zotit.
Dije Demiri Frangu: GRUE ME SHUMË VORRE
(Musine Kokalarit)
Burrelit maje gishtash eci
Me frikë se zgjohen hijet
Do mure burgjesh më ndjekin
Gjamë të rëndë bajnë, lëvizin
Sikur kanë atë multisklerozën e moshës,
Sa s’më bien bashkë me klithmat e njoma.
Unë s’di me i ngushëllue ato mure t’mjera,
Ç’me u thanë vrushkujve t’gjakut
Që ju rrjedhë me vdekjet që vet i pollën
E eshtna të mbjellur në tokë
Në formë legjendash
flasin në gjuhën time flasin i dëgjoj
S’kam si u iku dy syve të njohur që m’shikojnë,
Sy mbushun dimna e dimra m’shpojnë me acarin e tyre.
Museneja si flutur ngutet m’i le flokët në dorë
Me to e lidhi shpirtin e mendjen
Me mos m’u tret në re
Nga fatet e grave me shumë vorre.
Unë e ato – molla t’kputuna nji dege.
E lodhur si e dalun meç nga torturat
Ulem në Katedrale e fshajë si Bjeshkë e Namun,
Kur shkeli Rrëshenin, Fushë-Lumthin,
E bahem statujë…
Harroj fjalët e lutjeve, harroj Zotin.
Vetëm freskat më kuptojnë,
Ulin kryet e qajnë butë me mue.
Sa shumë shpirta lidhun me litar të kuq
Duken qiellit si xhita fëmijësh.
ObserverKult
Lexo edhe:






